Misteret e universit, nis ekzaminimi i mostrave të asteroidit 4.5 miliardë vjeçar

Misterit mbi origjinën e jetës në planetin tonë mund t’i vijë fundi. Mostrat e një asteroidi 4.5 miliardë vjeçar, që daton me agimin e sistemit diellor, kanë filluar të ekzaminohen nga shkencëtarët në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër.

Studiuesit morën 100 mg të materialit të pacenuar, që misioni Osiris-Rex i NASA i shkëputi nga asteroidi Bennu në vitin 2020, dhe i ktheu në Tokë në shtator të këtij viti.

Ekspertët shpresojnë se masa e pluhurit të zi mund të ndihmojë të kuptojmë si u formua Toka dhe mund të mbajë të dhëna jetike për formimin e planetëve dhe sistemit tonë diellor.

Analizat paraprake kanë zbuluar se pjesët e asteroidit ishin të pasura me karbon dhe ujë, një pjesë me përbërje organike, ndërsa studimi parashikohet të zgjasë disa dekada.

Dy vitet e para të kërkimit do të fokusohen në testet jo-shkatërruese, për të mësuar rreth përbërjes dhe strukturës minerale të asteroidit.

Grimcat më të mëdha në kampion janë me gjerësi milimetrike, ndërsa më të voglat janë grimca të thjeshta pluhuri.

‘Ky material, me masë sa një lugë çaji, do të na mbajë të zënë për vite me radhë ndërsa studiojmë çdo kokërr për të kuptuar përbërjen dhe strukturën e tij dhe për të parë se cilat sekrete mund të zbulojmë’ shpjeguan shkencëtarët.

Një fushë kyçe e kërkimit do të jetë analizimi i izotopeve të hidrogjenit për të parë nëse uji I përftuar nga Bennu përputhet me atë që gjendet në oqeanet e Tokës.

E përtej pyetjeve të origjinës sonë kozmike janë më shumë çështje ekzistenciale, të tilla si mënyra për të devijuar ose shkatërruar asteroidet që përbëjnë një kërcënim të mundshëm për Tokën.