Dimri erdhi në Ukrainë! Të paktën 10 viktima nga dëbora, 2500 të shpëtuar
Dimri i ashpër në Ukrainë nisi! Të paktën 10 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur për shkak të motit të keq. Stuhitë kanë bllokuar rrugë e kanë ndërprerë energjinë elektrike në shumë zona në vendin mes luftës.
Dëbora deri në 2 metra trashësi ka paralizuar zona të Ukrainës në mes të luftës me Rusinë. Të paktën 10 persona kanë vdekur nga stuhitë e forta. Bilancin ende provizor e bëri të ditur ministri i Brendshëm.
“Si rezultat i përkeqësimit të kushteve të motit, 10 njerëz vdiqën në rajonet Odesa, Kharkiv, Mykolaiv dhe Kiev.
Njëzet e tre persona u plagosën, duke përfshirë dy fëmijë. Gjithsej 411 vendbanime në 11 rajone kishin humbur energjinë dhe më shumë se 1,500 automjete duhej të shpëtoheshin”, shkroi Klymenko në aplikacionin Telegram.
Kujtojmë që erërat e ftohta dhe stuhitë kanë përfshirë Ukrainën që nga e diela, duke ndërprerë energjinë dhe duke bllokuar rrugët, veçanërisht në jug.
Ndërsa Oleh Kiper, guvernator i rajonit të Odesës, ku pesë persona kanë vdekur si pasojë e motit të lig, tha se pothuajse 2.500 persona janë shpëtuar pasi ishin bllokuar nga bora.
Mes stuhive, forcat ukrainase në lindje vijojnë kundërofensivën ndaj ushtrisë pushtuese ruse.
Presidenti i Ukrainës kishte paralajmëruar perëndimin se dimri do të ishte i vështirë ndaj në vazhdimësi ka bërë thirrje për sa më shumë ndihma.
