Krim urrejtjeje? Arrestohet personi që qëlloi me armë tre të rinjtë palestinezë në SHBA

Një burrë është arrestuar pasi tre studentë palestinezë u qëlluan në Vermont, në atë që familjet e tyre e cilësuan si krim urrejtjeje.

Të tre burrat, të gjithë të moshës 20 vjeç, flisnin arabisht kur u sulmuan ndërsa po ecnin nëpër një rrugë në qytetin e Burlington të shtunën mbrëma, sipas Sky News. 

Policia tha se një burrë iu afrua papritmas treshes pa thënë asgjë dhe më pas qëlloi drejt tyre me armë zjarri përpara se të largohej. I dyshuari Jason J Eaton, 48 vjeç, u arrestua pasi një kontroll policor në shtëpinë e tij u dha hetuesve dhe prokurorëve arsye të mundshme për të besuar se Eaton ishte personi që qëlloi ndaj tre studentëve.

Një nga të rinjtë, Kinnan Abdalhamid, u identifikuan nga Kolegji Haverford si një nga studentët e tij. Ndërsa nga dy të tjerët, Hisham Awartani ishte student i Universitetit Brown, ndërsa tjetri Tahseen Ahmed, ndjek Kolegjin Trinity në Konektikat.

Të tre morën trajtim në spital dhe janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore Familjet e tyre thanë në një deklaratë të përbashkët: "Si prindër, ne jemi të shkatërruar nga lajmi i tmerrshëm se fëmijët tanë u shënjestruan dhe u qëlluan.  Ne i bëjmë thirrje organeve të zbatimit të ligjit që të kryejnë një hetim të plotë, duke përfshirë trajtimin e këtij si një krim urrejtjeje. Ne nuk do të jemi rehat derisa vrasësi të dalë para drejtësisë.Ne duhet të sigurojmë që fëmijët tanë të mbrohen dhe ky krim i tmerrshëm të mos përsëritet”.

Tre palestinezët ishin diplomuar në Shkollën e Miqve Ramallah, një shkollë e mesme në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, sipas faqes së saj në Facebook.

Shkolla tha në një deklaratë: "Ne shprehim mendimet dhe lutjet tona për ata dhe familjet e tyre për një shërim të plotë, veçanërisht duke marrë parasysh ashpërsinë e lëndimeve - pasi Hishami është qëlluar në shpinë, Tahseen në gjoks dhe Kinnan me lëndime të lehta."

Senatori i Vermontit dhe ish-kandidati demokrat për president Bernie Sanders shkroi në X, dikur në Twitter: "Është tronditëse dhe thellësisht shqetësuese që tre të rinj palestinezë u qëlluan këtu në Burlington, VT. Urrejtja nuk ka vend këtu, apo askund".

Komiteti Amerikano-Arab Kundër Diskriminimit tha se të shtënat kishin ndodhur gjatë një rritjeje të paprecedentë" të ndjenjave anti-arabe dhe anti-palestineze në SHBA në mes të luftës Izrael-Hamas.

Ambasadori Husam Zomlot, kreu i Misionit Palestinez në MB, postoi një foto të treshes në mediat sociale dhe shtoi: "Krimet e urrejtjes kundër palestinezëve duhet të ndalen".

Të shtënat pasojnë vdekjen e një palestinezo-amerikani gjashtëvjeçar, i cili u godit me thikë 26 herë në një krim të dyshuar të urrejtjes në Illinois muajin e kaluar. FBI tha se po heton në mënyrë aktive të shtënat, por ende nuk po i trajtonte të shtënat si një krim urrejtjeje.