Reshjet e dëborës, disa fshatra pa energji elektrike në Kukës e Korçë, rrugët e kalueshme vetëm me zinxhirë

Situata në Qarkun e Kukësit, këtë të dielë duket se është më e qetë, pasi dhe intensiteti i borës është ulur ndjeshëm.

Pavarësisht kësaj, reshjet e denduara të borës gjatë ditës së djeshme kanë krijuar disa problematika, që vazhdojnë edhe sot.

Raportohet se në Bashkinë Kukës rrugët rurale janë të kalueshme me zinxhirë, përveç rrugëve të Njësisë Administrative  Arrën, Zapod, Grykë-Çajë dhe Kalis të cilat janë të bllokuara.

Ndërsa, furnizimi me energji elektrike është normal në gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç në Njësitë Administartive Shishtavec, Topojan, Zapod, Malzi, Kolsh, Surroj, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë, Kalis dhe Arren, në bashkinë e Kukësit.

Në Bashkinë Tropojë, furnzimi me energji eletrike aktualisht është ndërprerë në Njësitë Administrative Bytyq dhe Llugaj.

Në bashkinë e Hasit, ky problem është në Njësitë Administrative Golaj dhe Gjinaj.

Në Qarkun Jug- lindor të Korçës, prej reshjeve intensive të dëborës kanë mbetur pa energji elektrike fshatrat e Çlirimit në Kolonjë.

Sa i përket rrugëve, të gjitha akset nacionale janë të hapura. Edhe pse rrugët janë të hapura autoritetet kanë paralajmëruar se është ndaluar qarkullimi i mikrobusave në fshatin Dardhë.

Në fshatrat Dushar e Zerec ka dalë përroi e rënie shkëmbinjsh, ndërsa në fshatin Mashkullora bora ka arritur deri në 25 centimetra. Gjithashtu autoritetet kanë rekomanduar përdorimin e zinxhirëve për mjetet që do të qarkullojnë në fshatrat Dardhas, Proptisht dhe Velçan.