Lirohet ish-kampioni Pistorius gati 11 vite pasi vrau të dashurën e tij, Reeva Steenkamp

Ish-kampioni paraolimpik Oscar Pistorius do të lirohet nga burgu me kusht, gati 11 vite pasi vrau të dashurën e tij Reeva Steenkamp.

Ai e qëlloi me 4 plumba përmes derës së banjës në ditën e Shën Valentinit në vitin 2013. Në dëshminë e tij ai ka pretenduar se e kishte ngatërruar me një hajdut.

Pistorius, tani 37 vjeç, u dënua nga një gjykatë e Afrikës së Jugut në 2016-ën me 13 vjet burg. Por pavarëisht këtij vendimi, Pistorius do t’i kalojë festat e fundvitit në qeli, pasi data e lirimit të tij është caktuar 5 janari.

Sipas vendimit të gjykatës, Pistorius do të duhet të marrë pjesë në seancat e terapisë dhe do të monitorohet nga autoritetet derisa të përfundojë dënimi i tij.

Në një letër dërguar bordit të lirimit me kusht përpara vendimit, nëna e viktimës tha se nuk e kundërshton lirimin e tij, por ngriti pyetjen nëse "çështjet e mëdha të zemërimit" të Pistorius ishin trajtuar vërtet në burg. Ajo theksonte në ltrën e saj se ishte "e shqetësuar për sigurinë e ndonjë gruaje tjetër që do të binte në kontakt me të.

Oferta e tij e parë e lirimit me kusht u ndërpre në mars sepse ai nuk kishte përfunduar periudhën minimale të paraburgimit. Kjo më vonë u gjykua si një gabim nga Gjykata Kushtetuese e Afrikës së Jugut, duke çuar në seancën e lirimit me kusht të së premtes.