Çështja CEZ, Meta: Shqipëria humbi 200 milionë euro nga CEZ-i në arbitrazh, CEZ-DIA për të relativizuar skandalin e inceneratorit

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta theksoi gjatë një konference shtypi se Shqipëria humbi në arbitrazh 200 milionë euro me kompaninë CEZ. Ndërsa u pyet për thirrjet në SPAK për dosjen CEZ-DIA, Meta theksoi se synon të relativizojë çështjen e inceneratorëve.

''Dua t’ju them dhe një rast tjetër, që është Edi Rama përgjegjës që Shqipëria ka humbur të paktën 200 milionë euro nga CEZ-i, sepse kur ai ka ardhur në pushtet, CEZ-I ka qenë në arbitrazh, qeveria shqiptare pra me CEZ-in dhe sipas konsulentit ndërkombëtar, një avokat arbitrazhi me reputacion duhej që CEZ-i të paktën t’i kthente Shqipërisë deri në 200 milionë euro për mospërmbushjen e kontratës, për dëmet që kishte bërë për mosbërjen e investimeve dhe ky ishte një proces që asistohej nga Banka Botërore atë kohë.

Edi Rama në mënyrë tërësisht të dyshimtë jo vetëm që u tërhoq nga arbitrazhi por bëri dhe marrëveshje të tjera në dëm të shtetit dhe në dëm të qytetarëve shqiptarë.

Lidhur edhe më çështjen tjetër CEZ-DIA që ka vënë të gjithë papagallët e tij për të parelelizma me aferën e inceneratorëve, pra me aferën 430 milionë euro me 430 milionë euro imagjinare, e cila është një çështje tërësisht politike.

Dua t’ju them se dëmi që kompania DIA ka shkaktuar CEZ-it apo qytetarëve shqiptarë, sipas Cliford Chance që ishte studio që mbrojti Shqipërinë në arbitrazhin e Vienës ishte 4.5 milionë euro.

Dhe sipas gjykatave shqiptare të cilat e kanë gjykuar këtë çështje ishte 649 milionë lekë të reja. E gjithë kjo është një përpjekje propagandistike, jo vetëm për të spostuar vëmendjen në çështje të gjykuara por njëkohësisht për të relatizuar aferën e inceneratorëve e cila po shkon jo 430 sa ka qenë por megjithë dherat dhe gjithë gjerat e tjera në total po shkon gati 1 miliard euro.

Pra kërkon një korrupsion të tillë të përbinshëm që është kaq evident për të gjithë, incenerator që nuk ekziston dhe që e dinë të gjithë prej vitesh, ta relativizojnë thjesht duke përdorur veglat e tij në drejtësi, veglat e tij në propagandë edhe në media dhe që të vazhdojë të garantojë pandëshkueshmërinë e tij'', tha Meta.