Berisha ka 3 kushte për t’u paraqitur në GJKKO: Malltezi, i burgosur politik i Ramës. Dakord për rihetimin e “21 janarit”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se ka 3 kushte që ai të paraqitet në GjKKO, pas akuzës së ngritur ndaj tij për "korupsion pasiv". Ky reagim i Berishës vjen pasi pas kërkesës së depozituar në Kuvend nga GJKKO për marrjen e tij në pyetje për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Në rast se i plotësohen kushtet, që janë përjashtimi nga çështja e gjyqtares Irena Gjoka, heqja e masës që e ndalon të lëvizë jashtë shtetit dhe të pyetet Kuvendi, atëherë tregon se është i gatshëm që ta firmosë vetë dokumentin dhe do të paraqitet në gjykatë.

“Të largohet për konflikt interesi gjykatësja, të sillet në parlament kërkesa për detyrimin tim për t’u paraqitur dhe heqja e të drejtës për të dalë jashtë shtetit dhe unë do të votojë vetë për to, por unë pse ka gjykatës që nuk kanë as ligj e as moral, unë nuk mund të shkel as Kushtetutën dhe as ligjet e vendit, kjo nuk synon Berishën, por gjëmën për çdo shqiptar, kur thyhet ligji për kryetarin e opozitës, ç’mund të pësojë një qytetar”, tha ai.

Ai hodhi akuza të rënda në drejtim të gjyqtares së çështjes, Irena Gjoka. Ai pretendon se e ka shkarkuar nga detyra në 1996, por sipas tij, Gjoka nuk e ka deklaruar. Prandaj i drejtohet me një pyetje publike.

“Gjykatësja turpi i drejtësisë shqiptare dhe europiane, e botërore nuk duhet të fshihet pas krimit të saj, por deklarojë në emër të detyrimit ligjor është shkarkuar apo jo në 1996 për shkelje të lënë ligji dhe korrupsion. Të dalë dhe të deklarojë, turpi i njeriut, e di ca u tha ajo avokatëve “nuk jap dorëheqje se nuk më sollët prova që unë jam shkarkuar”. Ajo nuk ka ndërgjegje, për ato që ka bërë dhe tani mbahet me premtimin që i ka dhënë Edi Ramës. Kam qenë kryeministër e president dhe ata që kanë punuar me mua kanë pasur një porosi, mos prano asgjë në kundërshtim me ligjin. Skllave mjerane e Ramës”, tha Berisha.

MALLTEZI, I DËNUAR POLITIK

Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza në drejtim të Edi Ramës, duke thënë se me ndikimin e tij, po mban në burg në mënyrë të paligjshme dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. 

“Edi Rama mban të burgosur politik Jamarbër Malltezin, sepse ai si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD dhe kryetar i Komisionit të Mjedisit, është absolutisht ndër më të parët që ka denoncuar në dhjetëra e dhjetëra debate televizive dhe me më shumë se 382 statuse në FB e tij, aferën e inceneratorëve, vjedhjen e shekullit. Është ai që ka denoncuar me dhjetëra e dhjetëra herë thjeshtrën e parë të vendit, vajzën e familjes Rama për dhjetëra tendera të fituar, në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit”, tha Berisha.

Sipas tij, vendimi i ndryshimit të destinacionit të një pjese të territorit të klubit Partizani është bërë nga vetë Rama duke theksuar se është 100% i kundërligjshëm.

“Rama mbrëmë tha: “Njëri thotë kështu, unë do them të kundërtën, ndërkohë këtu flitet për fakte dhe jo opinione. Leja e firmosur nga unë ka një hartë. Leja që erdhi si rezultat i ndryshimit për ligjin e sportit, ka një hartë. Nxirrni hartat dhe të shohin njerëzit në hartë. Ja ku janë terrenet sportive, vazhdon ai, fusha e Partizanit, etj. Ja edhe godinat me fotografi, ja edhe fushat e tenisit që kanë qenë te klubi i Partizanit. Leja që ka dhënë KKRT e Tiranës është ajo me të kuqe, që ka qenë hyrja djathtas e klubit. Ajo është leja. Leja me jeshile është e firmosur prej meje.

Ja ku e keni, të firmosur prej tij. Me këtë deklaratë, ai pranon se ka ndryshuar me firmën e tij me 8 qershor 2006, nga zonë sportive, në zonë urbane të një pjese të territorit të klubit Partizani. Shtoj këtu se këtë ndryshim, Edi Rama e ka bërë në shkelje flagrante të ligjit. Dhe kjo është absolutisht e vetmja shkelje e ligjit, të cilin larot e tij, Kraja, Millonai dhe Gjoka kanë përmendur në dacibaon e tyre prej qindra faqesh.

Është e vërtetë se ky vendim është firmosur nga unë, Sali Berisha në datë 22 nëntor 2006, por është firmosur thjesht në rol noteri, pasi dhjetë ditë më parë, Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar më 10 nëntor 2006, ligjin që i lejonte qeverisë të ndërhynte në vendimet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të bashkisë.

Unë kisha bërë një ligj që të ndërhyja, por ky ligj u rrëzua nga gjykata. Pra, vendimi i ndryshimit të destinacionit të asaj pjese territorit të klubit Partizani, është 100 përqind i kundërligjshëm, i dënueshëm dhe ka në bazë korrupsionin”, përfundoi Berisha.

STRASBURGU

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama hodhi idenë e një rihetimi nga drejtësia e re e ”21 janarit” vrasjen e 4 protestuesve në Bulevard dhe për këtë Sali Berisha shprehet se është 100% dakord. Në një dalje për mediat, Berisha tha se është i gatshëm për rihetimin e kësaj çështjeje, e teksa hodhi një lumë akuzash në drejtim të Edi Ramës, duke e bërë atë krejtësisht përgjegjës.

“Jam dakord 100% të rihetim të çdo procesi, 21 janari nuk është hetuar si duhet për shkak të Edi Ramës, për të mbrojtur Edi Ramën që është autori i vërtetë prapa asaj që ndodhi, i cili erdhi dhe rrethoi kryeministrinë me banda dhe banditë në një protestë më të dhunshme në historinë e vendit me qëllime të caktuara ndaj pushtetit, Rama deklaratat i ka në TV kështu që ishte ky kontekst që bëri që Ina Rama dhe jo akuzat e mia ndaj Ina Ramës, të mos bëhej ndoshta siç thotë Strasburgu, hetimi i duhur, por ky proces në masën 80% është hetuar pasi Berisha ka ikur nga pushteti dhe është hetuar nga Ina Rama, militante e verbër e PS, person me kredincialet më të ulëta dhe një person që kur përfaqësuesi i qeverisë amerikane erdhi dhe dha një kontribut të madh në atë kohë dhe unë kërkoja një prokuror ndërkombëtar, ajo refuzonte dhe aty përfaqësuesi amerikan lexoni ça tha për Ina Ramën, keqardhja ime e vetme është që në atë vendi”, u shpreh Berisha.

Duke komentuar arsyetimin e Gjykatës së Strasburgut, e cila argumentoi se për 21 janarin shteti ishte përgjegjës për vrasjen dhe mos zbardhjen e krimit, Berisha thotë se ka një keqardhje. Për ish-kreun e qeverisë, Strasburgu është informuar gabim nga kushëriri i Edi Ramës.

“Keqardhja ime është se atë vendim ndodhet firma e Darian Pavlit, kushëririt të Edi Ramës. Po të ishte një gjykatës tjetër, do kishte sqaruar ata të Strasburgut, se Edi Rama është nxitësi kryesor i asaj që ndodhi, më fakte dhe dokumente, do kishte sqaruar se Ina Rama ishte militante dhe nuk bëri hetimin se do thërriste Edi Ramën. Duket se Darian Pavli ka qenë aty njëkohësisht edhe si avokat i Edi Ramës dhe jo gjykatës i paanshëm”, përfundoi Berisha.