Në Moldavi gjykon një njohje e vjetër, e ka arbitruar Shqipërinë edhe në Euro 2016 në Francë

Moldavi-Shqipëri, ndeshja e parafundit për kuqezinjtë në Grupin E , për kualifikueset e Europianit “Gjermani 2024” do të luhet më 17 nëntor, ora 18:00 në stadiumin “Zimbru” të Kishinaut.

UEFA ka caktuar gjyqtarë me përvojë për këtë takim deciziv, ku padyshim të besuarve të trajnerit Silvinjo u mjafton edhe një pikë për të realizuar ëndrrën europiane. 

Në këtë takim drejtësinë do ta vendosë një njohje e vjetër për Kombëtaren shqiptare, pikërisht bëhet fjalë për 44-vjeçarin nga Skocia Uilliam Kollum.

Asistenët të tij janë Deivid MkGeçi dhe Frensis Konir. Gjyqtarë i katër është Kevin Klansej, që të tre, ashtu si gjyqtari kryesor, vijnë nga Skocia.

Kjo do të jetë ndeshja e katërt për gjyqtarin skocez Uilliam Kollum që do të arbitrojë Shqipërinë. Pra bëhet fjalë për një njohje të vjetër, i cili na ka gjykuar edhe në ë Euro 2016.

Bëhet fjalë për ndeshjen e 15 qershorit të 2016-ës, Francë-Shqipëri 2-0, ku golat për francezët u shënuan nga Grizman në minutën e 90-të dhe Pajet  në minutën e 96-të.

Më herët skocezi na ka gjykuar edhe në dy ndeshje të tjera, që kanë dalë barazim. Për herë të parë Uillim Kollum ka gjykuar Shqipërinë më më 7 qershor 2013, ku në “Qemal Stafa” kemi barazuar në shifrat 1-1 me Norvegjinë dhe golin për Kombëtaren e shënoi Valdet Rama në minutën e 41-të.

Ndërsa hera e dytë ka qenë më 4 shtator 2015, pikërisht në takimin Danimarkë-Shqipëri 0-0.

Nisur nga e shkuara, duket se skocezi Kollum i sjell fat Shqipërisë në ndeshjet eliminatore në grup dhe nëse vazhdon tradita, Shqipërisë i mjafton edhe barazimi në Moldavi për të siguruar parakohe kualifikimin në “Gjermani 2024”.