HARTA 3D E UNIVERSIT/ Teleskopi “Euklid” kap mrekullitë e galaktikave të largëta
Kozmosi është i mbushur me surpriza të papritura dhe përpjekjet e shkencëtarëve për të marrë një panoramë sa më reale të tij nuk kanë të ndalur.
Teleskopët hapësinorë e shohin universin në gjatësi vale të ndryshme të dritës, duke shfaqur detaje të reja që syri i njeriut nuk do t'i zbulonte kurrë por nëse aftësitë e tyre të fuqishme kombinohen, ata mund të zbulojnë edhe më shumë mistere qiellore.
Një teleskop i ri, i emërtuar “Euklid” i ka hapur rrugë një prespektive të re drejt universit.
Pesë imazhet e para të kapura nga objekti hapsinor shfaqin grupime vezulluese të galaktikave dhe yjeve.
Teleskopi, i lëshuar në korrik, ishte projektuar për të krijuar hartën më të detajuar 3D të anës së errët të fshehur të universit.
Megjithëse të padukshme, materia dhe energjia e errët besohet se luajnë role vendimtare në strukturën dhe zgjerimin e kozmosit.
Euklidi ka një fushë të gjerë shikimi, e aftë për të kapur 1 mijë galaktika brenda grupit “Perseus”, si dhe më shumë se 100 mijë galaktika të tjera të largëta në sfond në një imazh të vetëm.
Ai ndau gjithashtu një pamje panoramike shumë të detajuar të Mjegullnajës së Kokës së Kalit brenda yjësisë së Orionit, ku planetët e rinj mund të fshihen brenda çerdhes së yjeve.
Ndërkohë, misione të tilla si anija kozmike Lucy e NASA-s po zbulojnë asteroidë të fshehur teksa kamerat e sondës ndanë një tjetër surprizë të re rreth asaj që po rrotullohet rreth shkëmbit hapësinor Dinkinesh në brezin kryesor të asteroidëve.


