Foshnjat evakuohen nga Gaza, Izraeli ka rënë dakord për evakuimin e sigurt të të miturve nga spitali Al Shifa
Izraeli ka konfirmuar dakordësinë për evakuimin e foshnjave nga spitali Al-Shifa i Gazës, përmes një strukture të sigurt, pasi edhe ndërkombëtarët kanë bërë thirrje të herëpashershme për kujdesin ndaj fëmijëve dhe grave.
‘Një korridor humanitar është i disponueshëm nëpërmjet rrugës Al-Wahda deri në rrugën Salah Al-Din’, pohoi në X zëdhënësi arab i ushtrisë izraelite.
Ushtria izraelite I ka mohuar akuzat e Hamasit se është sulmuar baza më e madhe spitalore Al-Shifa, por ka pranuar përleshjet me terroristët në zonë.
Ajo ka akuzuar vazhdimisht Hamasin se vepron nga tunelet nën spital, gjë që rivali i saj e mohon.
Përmes postimit, ushtria izraelite inkurajoi civilët të lëvizin në jug të Rripit të Gazës dhe lajmëroi një tjetër pauzë të përkohshme 4 orëshë në luftimet rreth Jabalisë.
Edhe autoriteti kufitar i Gazës i drejtuar nga Hamas, njoftoi për kalimin në Egjipt këtë të dielë përmes hapjes së kalimit kufitar në Rafah.
Ajo është rruga kryesore brenda dhe jashtë brezit që nuk kontrollohet nga Izraeli dhe është bërë fokusi i përpjekjeve ndërkombëtare për të ofruar ndihma humanitare për 2.2 milionë njerëz që banojnë në Gaza, ku aksesi në furnizimet bazë si uji, karburanti dhe ilaçet është shumë i kufizuar.
Javët e fundit, njerëzit me pasaporta jo-palestineze kanë mundur të evakuohen nga Gaza.
Izraeli filloi sulmet në Gaza pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, ku u vranë 1200 njerëz dhe më shumë se 200 u morën peng.
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka deklaruar se më shumë se 11 mijë persona janë vrarë në Gaza që nga ajo kohë, nga të cilët më shumë se 4 mijë e 500 ishin fëmijë.
