Marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët, mediat italiane i kushtojnë vëmendje paktit dhe debatit politik
Mediat italiane dhe sot i kanë kushtuar vëmendje paktit Itali-Shqipëri e debatit politik ndërkombëtar mbi këtë marrëveshje në fokusin e zgjidhjes Europiane të problematikës së emigracionit klandestinë.
Në sheshin e Popullit (Piazza del Popolo) në Romë, rreth 50 mijë mbështetës të së majtës italiane kanë manifestuar kundër qeverisë Meloni e liderja e Partisë Demokratike Elly Schelin deklaroi para tyre se "Meloni nuk kërkon të qeverisë por të komandojë".
Mbi paktin Itali-Shqipëri para votuesve të saj ajo u shpreh se "me Shqipërinë nuk ka asnjë pakt, se pakte të tilla kalojnë përmes Parlamentit e një gjë të tillë nuk e kemi parë të bëhet.
Ndoshta se e dinë se po shkelin Kushtetutën. E është një refuzim që Italia ky vend i BE i bën azilkërkuesve duke i përzënë në një vend të tretë.
Meloni bën gjithcka për të shmangur ndryshimin e rregullave të BE e për këtë i kërkon ndihmë mikut të saj Orban."
Një vëmendje të veçantë mediat italiane i kanë kushtuar deklaratave të Kancelarit gjerman Scholz mbi paktin Itali-Shqipëri.
Në Malago të Spanjës ku po mbahet Kongresi i Partisë Socialiste Europiane ai është shprehur se po ndjek me vëmendje zhvillimet e kësaj marrëveshje e tha "se duhet pasur parasysh se, nga këndvështrimi ynë, Shqipëria së shpejti do të jetë anëtare e BE-së dhe prandaj po flasim për një çështje se si t'i zgjidhim së bashku sfidat dhe problemet në familjen evropiane”.
Sipas kancelarit gjerman, "ajo që ka rëndësi tani në Evropë është të korrigjohen gjërat që nuk shkuan mirë, të krijohet një mekanizëm solidariteti dhe të mos përpiqemi të kapërcejmë të vetëm sfidat".
“Do të ketë bashkëpunim të ngushtë me vende jashtë Bashkimit Evropian, sic ndodh tani, për shembull me Turqinë, dhe mund të ketë të tjera”, tha ai.
Dhe për çështjen e imigracionit, Berlini përsërit qëndrimin e tij: "Ne kemi nevojë për një migrim të rregullt të talenteve dhe punës për të rritur ekonominë tonë dhe për të ruajtur sistemet tona të sigurimeve shoqërore."


