"Western Balkans" diskuton integrimin, Bushati flet me studentët për historinë dhe ëndrrën evropiane
Ëndërra evropiane, mundësitë, sfidat, arsimi dhe të rinjtë, ishin temat që u diskutuan nga ish-ministri i Jashtëm, politikani dhe pedagogu i njohur Ditmir Bushati, gjatë një takimi që pati me studentët e Universitetit Western Balkans.
Në bashkëbisedimin “Purgatori Evropian i Ballkanit Perëndimor” z. Bushati bëri një përmbledhje historike të rrugës që vendi ynë ka ndjekur për të realizuar ëndrrën evropiane, sfidave dhe disavantazheve të Shqipërisë në krahasim me vende të tjera pjesë e këtij procesi.
Ai shpjegoi se Europa duhet parë si një mundësi ndërkohë që jemi ne ata që duhet të ngremë modelin e duhur për të qenë pjesë integrale e saj.
"E shohim anëtarësimin në BE si mundësi për tu transformuar", tha Bushati.
Bushati me tej foli për rëndësinë e reformimit të arsimit të lartë dhe vlerësoi progresin që Shqipëria ka bërë deri më tani për sa i përket reformave, por theksoi se ka ende një rrugë të gjatë për të siguruar një sistem konkurrues i cili nuk shtrihet vetëm në nivel kombëtar por edhe në atë nderkombëtar.
Z. Bushati u prit nga Presidenti i Universitetit Western Balkans, Prof. Dr. Ferdinand Gjana me të cilin u njoh më shumë rreth qasjes së WBU dhe kurrikulës së integruar sipas universiteteve më të mira evropiane.
Në bashkëpunim me disa prej universiteteve më të mira perëndimore, Universiteti Western Balkans ofron një infrastrukturë bashkëkohore për një edukim cilësor dhe diploma të njohura ndërkombëtarisht.
