Pas sirtarëve të Bashkive Kamëz dhe Himarë, SPAK do hetojë edhe “zarfat” e pasurisë së Rakip Sulit dhe Jorgo Goros
Prokuroria e posaçme ka nisur një hetim pasuror ndaj Rakip Sulit kryebashkiak i Kamzës dhe kolegut të tij të bashkisë së Himarës Jorgo Goro.
Përveç hetimit penal për një sërë akuzash mes tyre dhe shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera prokuroria e posaçme i ka dërguar një kërkesë bankave të nivelit të dyte si dhe agjencisë së pronave të paluajtshme.
SPAK me anë të materialeve të mbledhura do të verifikojë nëse dy kryebashkiakët të Himarës dhe Kamëz i justifikojnë pasuritë e tyre në burime të ligjshme.
Edhe pse kjo procedurë kërkon kohë për hetuesit e SPAK pasi vetëm pak ditë më parë pranë këtyre institucioneve janë nisur shkresat, mbetet për t’u parë rezultati i këtij hetimi, pasi Rakip Suli ka qenë një ndër deputetët socialistë më të akuzuar nga ana e opozitës për përfitim të tenderave publik në PS,
Madje, rasti i tij, në vitin 2016 arriti deri në Gjykatën Kushtetuese. Deputeti i PS-së në Tiranë akuzohej nga PD se kishte përfituar fonde publike përmes kompanisë së tij Aurora Group, e cila ishte në pronësi të të birit.
Sipas Opozitës së kohës ambientet e kompanisë në fjalë i ishin dhënë me qira OSHEE-së.
Me 14 prill 2016 Kuvendi vendosi me shumicë votash dërgimin e mandatit të Sulit në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kjo e fundit rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike, për heqje të mandatit të Rakip Sulit.
Në kuadër të këtyre hetimeve, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar disa dokumente në Bashkinë Kamëz, por edhe procedura të tenderit për pastrimin e qytetit dhe për dëmshpërblimet.
Ndërkohë ditët në vazhdim do të thirren në SPAK edhe zyrtarë të tjerë të bashkisë së Kamzës.
Tre herë në SPAK
Rakip Suli u pyet për herë të fundit të mërkurën nga Prokuroria e Posaçme teksa ka dëshmuar mbi kallëzimin e bërë një grup këshilltarësh për sa i përket dyshimeve me abuzimet me banesat sociale.
Ndaj Sulit ka edhe një tjetër dyshim të SPAK atë të pastrimit të qytetit ku hetuesit i kanë kërkuar më shumë dokumente.
Rakip Suli është pyetur të paktën tre herë në SPAK gjatë javës së fundit dhe duke dalë i qeshur prej andej ka thënë se drejtësia duhet lënë të bëjë punën e saj, ndërkohë që shtoi se “sa mirë që erdhi kjo ditë”.
Kallëzimi për Sulin
Disa kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë përfunduan të pandehur gjatë këtij viti sidomos për tenderat, si të denoncuar jo vetëm nga KLSH-ja por edhe të referuar nga prokuroritë e zakonshme që ja përcollën kompetencën SPAK.
Njëri prej tyre është dhe Rakip Suli, i cili është kallëzuar nga kryetari i këshillit bashkiak që vjen nga radhët e opozitës. Ai pretendon se kryebashkiaku ka shkelur ligjin edhe për mënyrën si janë zhvilluar mbledhjet e këshillit bashkiak.
Më kontretisht, i zgjedhuri i PS akuzohet nga këshilltarët e djathtë për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”.
Paditësit e akuzojnë Sulin edhe për shkelje të Kushtetutës dhe ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”.
Sipas koalicionit “Bashkë Fitojmë”, nga ana e Kryetarit Rakip Suli, nuk janë propozuar zëvendëskryetarët e këshillit nga ky grupim.
Në padi anëtarët e këshillit bashkiak i referohen një raporti të KLSH ku ka evidentuar të gjithë rastet e abuzimit me ligjit dhe korrupsionit për vitin 2021, raport që sipas tyre nuk futet ne debat në Këshill Bashkiak.
Raporti i KLSH vëren se veprimtaria e Bashkisë Kamzë drejtuar nga Rakip Suli ka shfaqur probleme të rënda lidhur me inventarizimin e aktiviteteve në Bashkinë Kamzë, inventarin e pasurive të paluajtshme dhe regjistrimin e pasurive të paluajtshme, kontratat e investimeve dhe të punësimit; me argumentimin e shpenzimeve buxhetore të vitit koherent; me përdorimin e burimeve financiare, nxjerrjen e përgjegjësive për kualifikimin e ofertave ekonomike të cilat nuk plotësojnë kriteret e kërkesave kualifikuese, me pasojë lidhjen e kontratës me operatë ekonomikë të kualifikuar në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik, të saktësojë sipërfaqen e tokës arë, pasi e cila është zaptuar nga ndërtimet pa leje e me leje ndërtimi, si dhe transaksionet duke ndryshuar pronarë, të analizohet ndryshimin e vendimit mbi mënyrën e llogaritjes së Taksës së Ndikimit të Infrastrukturë, të arkëtohen detyrimet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për 8467 ndërtimet e reja për uljen e borxhit në vlerën 270,787,856 lekë, të mos pajisen me certifikata pronësie subjektet përfitues nga procesi i legalizimit pa kryer pagesat e taksës së ndikimit në infrastrukturë, etj.
Kallëzimi për Goron
Ndërsa kryebashkiaku në detyre Jorgo Goro po hetohet pas një kallzimi të bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, i cili po ashtu gjendet në burg me akuzën e korrupsionit zgjedhor.
Ndërkaq, në padinë ndaj Goros, Beleri i fundit i referohet auditimit të KLSH në bashkinë e Himarës për vitet 2019-2021 ku sipas tij janë gjetur shkelje të ligjeve në procedurat e tenderimeve publike, mosmbledhjes së të ardhurave, mospasqyrimit të drejtë të të ardhurave dhe debive në buxhetin e bashkisë dhe në dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.





