PSG në "errësirë" në transfertë, shikon "fantazmat" e eliminimit që në grupe
Në “San Siro” PSG shkoi plot besim e karikuar nga 5 fitore radhazi me tre gola të shënuar për ndeshje, përfshirë ata ndaj Milanit në ndeshjen e parë.
Shumëkush mendonte që klubi i emirit nga Katari mund ti prenotonte 1/8 pa shumë vështirësi.
Ndërkohë skuadra e Piolit përmbysi parashikimet duke hedhur në tapet parizienët që tani nuk mund ti lejojnë vetes të tjera gabime.
Mediat në Francë madje përmendin edhe rrezikun e eliminimit që në grupe.
Hipoteza vjen në faqet e L’Equipe, e përditshmja franceze flet për një PSG në errësirë jashtë fushe, duke folur për fantazmat e eliminimit teksa shkruan “Kur mbeten dhe dy ndeshje nga fundi i fazës së grupeve, rreziku i një eliminimi është prezent”.
Edhe për të përditshmen kryeqytetase “Le Parisien” disfata me Milanin rihap krejtësisht garën për kalimin e turit, të kushtëzuar për PSG edhe nga disfata me Newcastle, kundër të cilës skuadra e Mbappe humbi 4-1 ndeshjen e parë në Angli.
Vendi i parë ndërkohë do të luhet në ndeshjen e fundit me Dortmund, por deri atëherë nëse nuk ndryshon diçka do të jetë shumë e rrezikshme.
Dy ndeshje delikate sidomos ajo në Gjermani në raundin e fundit, duke qenë se PSG nuk ngjall aspak optimizëm në transfertë. Gjithsesi skuadra e Luis Enrique mund të kualifikohet që në ndeshjet e radhës nëse mund Newcastle dhe Milani humbet kundër Dortmundit.
Mbappe pas ndeshjes ndërkohë u shfaq i qetë duke deklaruar, “Na munguan disa gjëra, por do të provojmë të reagojmë kundër Newcastle”. Në fund shumëçka do të varet nga golat e tij.