Barcelona u mposht 1-0 nga Shakhtar Donetsk, Xavi nuk e fsheh zhgënjimin
Trajneri i Barcelonës, Ksavi nuk e fshehu zhgënjimin për disfatën ndaj Shaktarit, në Champions Ligë. Tekniku deklaroi se kjo ishte një nga ndeshjet më të shëmtuara.
Barcelona shpërdoroi një mundësi të mirë për të prerë biletën për në fazën tjetër në Ligën e Kampionëve, teksa u mposht në transfertë nga Shakhtar Donetsk, me rezultatin 1-0.
Suksesin skuadrës ukrainase ia dha Sikan, me golin e shënuar në minutën e 40-të. Me këtë tripikësh të arritur ndaj katalansve, tek Shakhtar besojnë ende në kualifikim, pasi shkojnë në kuotën e 6 pikëve, në grupin H, ndërsa grupi kryesohet nga ‘blaugranasit’ dhe Porto me nga 9 pikë.
Pas takimit, trajneri i Barçës, Xavi nuk e fshehu zhgënjimin për disfatën, ku deklaroi se kjo ishte një nga ndeshjet më të shëmtuara.
Xavi: Jemi në një moment jo të mirë të lojës. Kemi probleme si në momentin kur kemi zotërimin e topit edhe në momentin kur nuk e kemi në zotërim. Është një nga ndeshjet më të shëmtuara që mbaj mend vitet e fundit. Jemi në një moment të keq. Duhet ta njohim. Është turp, por duhet të vazhdojmë.
Gjithsesi, ai nuk ka dashur ta dramatizojë më shumë situatën, duke shtuar se kualifikimi është në dorën e tyre.
Xavi: Ne varemi nga vetja dhe ndeshja e radhës është në shtëpi kundër Portos. Atje mund ta arrijmë kualifikimin matematikisht. Së fundmi kemi luajtur futboll shumë të mirë. Është një çështje mendore, jo fizike.


