Moti i keq/ Bllokohet trageti në Durrës, pasagjerët: Jemi 4 orë duke u rrotulluar në det! Agjencia e Mbrojtjes Civile kalon në gatishmëri

Vendi ynë sot dhe gjatë dy ditëve të ardhshme do të përfshihet nga reshje me intensitet të lartë. Përveç situatës kaotike në rrugët e vendit duket se probleme vijnë dhe nga transporti detar.

Mësohet se është bllokuar në det të hapur trageti “Claudia”, i nisur nga Ancona për në Durrës. Pasagjerët njoftojn ënë “Ora News” se është e pamundur ankorimi i anijes. “Jemi 4 ore duke u rrotulluar në det”, thonë pasagjerët.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bëri apel sot të gjithë bashkive të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje.

Sipas parashikimit nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave ‘IGJEO’ ditën e sotme moti është me reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata.

Ditën e shtunë , 4 nëntor, priten reshje intensive në qarqet Korçë,Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata. Intesiteti i reshjeve pritet të jetë më i lartë në pjesën e parë të ditës.

Të dielën, 5 nëntor, priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare shtrëngata.

Ndërsa ditën e hënë, 6 nëntor, pritet një pakësim i reshjeve, ato priten të jenë të dobëta në të gjitha qarqet. Të martën, 7 nëntor priten reshjeve të dobëta në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës reshjet pritet të arrijnë lokalisht deri mesatare.

Duke iu drejtuar qytetarëve Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile tha se “siguria është prioritare. Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale”.

“Në kohët e sfidave, ndihma ndaj njëri-tjetrit është thelbësore. Le të bëhemi një komunitet i përgjegjshëm dhe të jemi në ndihmë të njëri-tjetrit në çdo moment”, tha AKMC.