"Beteja" për Shtëpinë e Bardhë, Mike Pence tërhiqet nga presidencialet në SHBA

Mike Pence është tërhequr nga fushata presidenciale në SHBA, pas vështirësive për të mbledhur fonde dhe fituar mbështetjen e republikanëve. Pence ka mbajtur postin e nënpresidentit në kohën kur Shtëpia e Bardhë drejtohej nga Donald Trump, me të cilin u përplas ashpër për zgjedhjet e vitit 2020!

Ish-nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Mike Pencë ndërpreu fushatën për tu rikthyer në krye të Shtëpisë së Bardhë

Ai u tërhoq nga gara për emërimin si kandidat për president i Partisë Republikane, pas vështirësive për të mbledhur fonde dhe fituar mbështetje.

"Kam vendosur të pezulloj fushatën time për president në fuqi sot," tha zoti Pence në mbledhjen e Koalicionit Republikan Hebre në Las Vegas. "Që në fillim e kemi ditur se kjo do të ishte një betejë e vështirë, por nuk jam penduar.

Pence u bë kështu kandidati i parë me peshë që tërhiqet nga gara që është mbizotëruar nga ish-presidenti Donald Trump.

Vendimi erdhi në një kohë kur Pence kishte shënuar rënie në sondazhet e fundit në betejën për të fituar mbështetjen e votuesve republikanë 

“Po largohem nga kjo fushatë, por nuk do ta lë kurrë luftën për vlerat konservatore”, ka shkruar ai në një deklaratë drejtuar mbështetësve të tij.

64-vjeçari humbi mbështetjen e shumë votuesve republikanë kur u nda publikisht me Donald Trump lidhur me trazirat e 6 janarit në Kapitol në 2021, dhe kur ai kryesoi certifikimin e rezultateve zgjedhore të Joe Biden në 2020 në Kongres.

Disa protestues u dëgjuan duke brohoritur "varni Mike Pence" ndërsa sulmuan sallat e Kongresit në vitin 2021, dhe që atëherë shumë besnikë të Trumpit e kanë parë atë si një tradhtar.

Ish-zëvendëspresidenti tha në mars se inkurajimi i  Trump ndaj rebelëve kishte "vënë në rrezik familjen time dhe të gjithë në Kapitol atë ditë".

Pence nuk mbështeti asnjë kandidat tjetër republikan për zgjedhjet presidenciale, por i bëri thirrje ameriakneve që të zgjedhin një lider që jo vetëm ti cojë drejt fitores, por edhe të udhëheqë kombin me parime!

Vendimi i Pence për t'u tërhequr nga fushata presidenciale republikane erdhi pak para debatit të tretë presidencial më 8 nëntor.