"El Classico"/ Presidenti Perez nuk do të jetë i pranishëm në stadium, shkak tensionet në rritje mes Barçës e Realit
Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez nuk do të jetë i pranishëm nesër në stadium për të ndjekur nga afër El Classicon Barça-Real.
Perez e ka refuzuar ofertën për të qenë në stadium krah presidentit Laporta, siç është traditë në futbollin spanjoll.
Tensionet e fundit në distancë mes dy klubeve çuan në këtë vendim të presidentit madrilen. Kohët e fundit ka patur mjaft polemika mes drejtuesve të Barcelonës dhe atyre të Real Madrid.
Akuzat ndaj Barcelonës për ndikime në rezultatet e ndeshjeve, krijuan dhe tensionet aktuale me presidentin Laporta që akuzoi drejtuesit e Real për fabrikimin e këtyre akuzave ndaj tij dhe klubit të tij.
Gjithashtu, së fundmi një prej drejtuesve të Barçës kritikoi në rrjetet sociale sulmuesin brazilian të Real, Vinicius Jr. Këto e kanë ndezur dhe më shumë rivalitetin shumëvjeçar të këtyre dy skuadrave.
Nesër në orën 16:15 në stadiumin olimpik të Barcelonës do të luhet El Classico i parë këtë sezon.

