"Kam kaluar nëpër ferr", rrëfimi i 85-vjeçares që u mbajt peng nga Hamasi

Pas 2 javësh në robëri, gjyshja 85-vjeçare Yocheved Lifschitz është liruar nga Hamasi ditën e hënë. E moshuara dhe bashkëshorti i saj u rrëmbyen nga njerëz të armatosur të Hamasit me motoçikleta dhe u futën në tunele në Gaza.

85-vjeçarja e përshkroi pengmarrjen “kalim në ferr” teksa tha se e kishin goditur me shkopinj gjatë udhëtimit, por shtoi se shumica e pengjeve po trajtoheshin mirë. Ajo u lirua së bashku me një grua tjetër, 79-vjeçaren, Nurit Cooper.

“Kam kaluar nëpër ferr”, u shpreh ajo.

Imazhet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë të moshuarën teksa shtrëngon dorën e një personi të armatosur të Hamasit, vetëm pak sekonda para se ajo t’i dorëzohej Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në vendkalimin Rafah midis Gazës dhe Egjiptit fqinj.

“Shalom,” duket se i thotë ajo personit të armatosur, fjala hebraike për paqe.

Lifschitz u rrëmbye së bashku me bashkëshortin e saj Oded në Izraelin jugor më 7 Tetor, por ai nuk është liruar ende nga Hamasi. Ishte herët në mëngjes kur Hamasi sulmoi banesën e tyre, duke masakruar komunitetin e vogël. Një në katër banorë besohet të jetë vrarë ose rrëmbyer, duke përfshirë shumë fëmijë.

Në një konferencë shtypi nga spitali Ichilov në Tel Aviv vetëm pak orë pas lirimit të saj, e moshuara Lifschitz shpjegoi se çfarë ndodhi pasi u rrëmbye. Ajo tha se u godit me shkopinj gjatë udhëtimit në Gaza dhe pësoi mavijosje dhe vështirësi në frymëmarrje.

Vajza e saj, Sharone Lifschitz, e cila ndihmoi në përkthimin e përvojës së nënës së saj, tha për gazetarët se 85-vjeçarja u detyrua të ecte për disa kilometra në tokë të lagësht. Sharone u shpreh se nëna e saj u fut në një rrjet të madh tunelesh nën Gaza që dukej si rrjetë merimange.

Lifschitz deklaroi se ajo ishte në mesin e 25 pengjeve të marra në tunele dhe pas disa orësh, pesë persona nga pengjet, duke përfshirë edhe veten, u dërguan në një dhomë të veçantë. Atje, secili prej tyre kishte një roje dhe doktor. Ajo përshkroi kushte të pastra brenda, me dyshekë në dysheme për të fjetur.

“Ata u kujdesën që ne të mos sëmuremi dhe kishim një mjek me vete çdo dy ose tre ditë.”

Ajo tha gjithashtu se ju jepnin ilaçet që u nevojiteshin. Gjatë përkthimit të fjalëve të nënës së saj, e bija tha se pengjet së bashku me rojet e Hamasit hanin të njëjtin ushqim, bukë me djathë dhe kastravec.

E pyetur nga një gazetar se pse ajo kishte shtrënguar duart me personin e armatosur, zonja Lifschitz tha se pengmarrësit e kishin trajtuar mirë dhe pengjet e mbetura ishin në gjendje të mirë.