Kurti: Mbi gjakun e mijëra njerëzve, Serbia e përjetësoi në bronz Drazhën
"Nisiatorë për ironi ishte një shoqatë që thirrej në aktivitete humane dhe ekologjike. Kundërshtimi që u bë nga organizata e aktivistë të ndryshëm, ishte i kotë. Rruga ku u bë përurimi quhej “Bregalnicka”, sipas betejës që Serbia ka zhvilluar gjatë Luftës së Dytë Ballkanike kundër Bullgarisë (1912-1913), në brigjet e lumit Bregallnica në Maqedoni të Veriut, përgjatë përpjekjeve të saj për zgjerim territorial. Pra përjetësim i një lufte të zhvilluar në një vend tani anëtar i NATO-s (Maqedonia e Veriut), kundër një vendi që sot është anëtar i NATO-s e i BE-së (Bullgaria).
Muzetë i shërbejnë mbrojtjes së të kaluarës, por një gjë është strehimi i së kaluarës e tjetërgjë shfajësimi i së keqes. Aq më shumë kur përkujtimi i përmallshëm aludon te përsëritja e dëshiruar. Gjykata e Lartë në Beograd, më 14 maj 2015, e pati rehabilituar me aktgjykim prej 39 faqesh kriminelin e Luftës së Dytë Botërore, Dragolub Mihailloviq – Drazhën.
Vitet e fundit kishim mohimin publik të masakrës së Reçakut nga Aleksandar Vulin më 10 dhjetor 2019 dhe nga Aleksandar Vuçiq më 5 dhjetor 2021. Serbia e sotme jeton në të shkuarën sepse konsideron që luftërat e saj nuk kanë përfunduar: as luftërat ballkanike nga fillimshekulli i kaluar, as ajo botërore në mes të shekullit XX dhe as kjo e viteve 1998-1999 në Kosovë.
Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator sivjet është veçse edhe një betejë e atyre luftërave të papërfunduara nga pikëpamja e Beogradit zyrtar."