PAMJET/ Në muzeun “Onufri” ekspozohen për herë të parë 2 ikona të Kostandin Zografit

Në vazhdim të projektit “Thesare të fjetura” që Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Berat ka nisur prej disa vitesh, janë ekspozuar për herë te parë në Muzeun e Ikonografisë “Onufri”, dy ikona të dimensioneve të mëdha me autor Kostandin Zografin.

Ikonat “Mbledhja e Kryeëngjejve” dhe “Johan Pagëzori në këmbë” i përkasin shek. XVIII dhe janë restauruar nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat.

DRTK Berat ka bërë publike ikonat në rrjetet sociale, si dhe ka falënderuar ministren e Kulturës, Elva Margariti për autorizimin e ekspozimit të këtyre thesareve të kulturës.

Koleksioni i Muzeut “Onufri” përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit.

Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX.