“Izraeli, gati të ekzekutojë misionin e tij”- IDF: Hamas nuk do të ketë më kapacitete ushtarake!

Izraeli ka paralajmëruar se po përgatitet të “ekzekutojë misionin” kundër Hamasit, ndërsa mobilizoi qindra mijëra rezervistë ushtarakë pranë kufirit të Gazës përpara një pushtimi të mundshëm tokësor.

Ky reagim vjen pas një nate tjetër të sulmeve ajrore izraelite në brezin e ngushtë të tokës, me thirrjet në rritje për krijimin e korridoreve humanitare në mënyrë që ndihma të arrijë banorët e bllokuar të Gazës.

Kujtojmë se luftimet u nxitën nga një sulm i befasishëm ndaj Izraelit nga militantët e Hamasit të shtunën dhe tani janë në ditën e pestë. Më shumë se 2,000 njerëz nga të dyja palët në konflikt kanë humbur jetën aktualisht.

Të mërkurën, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF) tha se forcat e saj ishin të gatshme për të siguruar që Hamasi “nuk do të ketë asnjë aftësi ushtarake me të cilën ata mund të kërcënojnë ose vrasin civilët izraelitë” deri në fund të luftimeve.

Jonathan Conricus tha se më shumë se 300,000 rezervistë ushtarakë po mobilizohen pranë kufirit të Gazës, duke përfshirë “këmbësorinë, ushtarët e blinduar dhe trupat e artilerisë”.

Ushqimi, uji dhe energjia elektrike janë ndërprerë në Gaza – një rrip toke prej 25 miljesh që është shtëpia e 2.3 milionë njerëzve. Autoriteti energjetik i Gazës paralajmëron se energjia elektrike do të mbarojë brenda disa orësh të mërkurën në mëngjes.

Grupet humanitare kanë paralajmëruar se spitalet në Gaza janë të mbingarkuar me njerëz dhe po mbarojnë furnizimet mjekësore.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se më shumë se 250,000 njerëz në Gaza tani janë larguar nga shtëpitë e tyre.