Ambasadorja Kumbe: Në kontakt me shqiptarë në Izrael, ndihmë për t'i larguar nga vendi

Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe tha sot nga aeroporti i “Ben Gurion” në Izrael tha se “prej 48 orësh, kam qenë në kontakt me Ministrin e Evropës  dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe përmes ministrisë dhe stafit të ambasadës jemi në kontakt me shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Izrael për t’i ndihmuar në largimin nga vendi”.

Në një video të publikuar në rrjetin social të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ambasadorja Kumbe tha se “me porosi të ministrit Hasani  ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut”.

“Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael, por në emër të qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë tonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë”, tha Kumbe.

Më herët MPEJ informoi qytetarët shqiptarë se për shkak të situatës së jashtëzakonshme në Izrael, aeroporti ndërkombëtar “Ben Gurion”  është i hapur.