Sylvinho shpjegon mungesën e Abrashit: Po punojmë fort për ndeshjet e tetorit. Konkurrenca, e madhe

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho ka sqaruar përpara ndeshjeve të tetorit mungesën e Amir Abrashit në listën e skuadrës “kuqezi”.

Në konferencën e dhënë për mediet në prag të grumbullimit të lojtarëve të Kombëtares, Sylvinho theksoi se arsyeja pse Abrashi është lënë jashtë lidhet vetëm me centimetrat në mesfushë.

“Është e thjeshtë, Abrashi është lojtar shumë i rëndësishëm për ne por në këtë sfidë kemi nevojë për centimetra në mesfushë dhe Gjasula është një zgjedhje shumë e duhur nëse e krahasojmë me Abrashin.

Ka bërë shumë mirë në ndeshjet që ka luajtur. Ne i dimë cilësitë e Abrashit dhe kontributin e tij, pot na duhen cm në mesfushë kjo është arsyeja pse kemi bërë këtë zgjedhje.”-deklaroi tekniku i kuqezinjve.

Shqipëria do të zhvillojë dy ndeshje gjatë muajit tetor, me Republikën Çeke në “Air Albania” më 12 tetor, që është e vlefshme për kualifikueset EURO2024 dhe më 17 tetor do përballet në një miqësore me Bullgarinë, po në Tiranë.

Në sulm në anën e majtë keni Muçin, Uzunin dhe Seferin. Kundër Çekisë do luani agresivisht me Muçin dhe Uzunin apo do luani si e Pragës që edhe të mbroheni pak?

Ne akoma nuk kemi nisur grumbullimin, ndoshta që nga e djela do kemi lojtarët, të hënën kompletohemi dhe do kemi mundësi të flasim për shumë gjëra. Kjo nuk është një ndeshje ku mund të themi do luani më shumë në sulm apo mbrojtje por për 90 minuta duhet të luajmë dhe në sulm dhe në mbrojtje është një ndeshje që kërkon shumë energji dhe impenjim, por do ta shohim. Kemi edhe tre finale para dhe duhet të japim maksimumin.

A ju kanë kërkuar edhe ju bileta edhe, pasi është një ndeshje me interes të lartë?

Sa i përket batutës apo pyetjes është bukur të shohësh që të gjithë duan të jenë në stadium, kjo do të thotë që lojtarët kanë bërë një punë shumë të mirë. Unë nuk kam asnjë punë me biletat, por di që gruaja ime thotë që do jetë aty. Puna ime lidhet vetëm me fushën, që të bëjmë mirë ndaj Çekisë.

Në miqësoren me Bullgarinë pritej që të kishte prurje të reja në listën e Kombëtares për t’i dhënë mundësinë ndonjë lojtari të ri si dhe për ta provuar, a do ketë lojtarë të rinjtë në ekip për atë ndeshje?

Ne nisim tani përgatitjet për ndeshjen me Çekinë, pasi është shumë e rëndësishme, pastaj kemi miqësoren me Bullgarinë. Nuk më pëlqen të flas tani për miqësoren, pasi e kam mendjen te Çekia. Sa i përket pyetjes që më bëre, Muçolli është një lojtar që po bën shumë mirë dhe që më pëlqen shumë dhe që kam gjashtë muaj që e ndjek me vëmendje. Megjithatë për momentin kam 25 lojtarë në dispozicion dhe jam i fokusuar te ta dhe që të bëjmë mirë në ndeshjen me Çekinë. Sigurisht jam duke ndjekur me kujdes çdo shqiptar nëpër botë dhe po i shoh se kush po bën mirë, megjithatë për momentin dua të flas vetëm për ndeshjen me Çekinë, pastaj vjen miqësorja.

Dëmtimi i Ismajlit, si është gjendja dhe a keni alternativë për zëvendësim? 

“E kemi monitoruar Ismajlin, ai ka pësuar edhe një dëmtim tjetër gjatë një ndeshje me Interin së fundmi. Ne nuk jemi te Empoli që ta dimë saktë çfarë ka ndodhur, në flasim me klubin e mjekët, tani por presim për të gjitha vizitat dhe analizat që do të kryejë sot. Është lojtar i rëndësishëm, titullar i Shqipërisë, nëse nuk do ia dalë dot do e zëvendësojmë, pasi kemi lojtarë të tjerë që janë të gatshëm. Megjithatë me këtë listë që kemi bërë jemi gati dhe me kaq nuk kemi probleme.”

Sulmi, të gjithë mund të kërkojnë të luajnë nëse shkojmë në Europian, a mund të jetë shqetësim për ju kjo?

“Ne kemi përpara një ndeshje dhe kemi grumbulluar 25 lojtarë, lista ka vetëm një ndryshim është lënë jashtë Roshi dhe është grumbulluar Broja. Më vjen mirë që të gjithë lojtarët luajnë e janë në formë të mirë me klubet e tyre, e që shënojnë, qoftë edhe lojtarët që nuk janë grumbulluar, ne i monitorojmë të gjithë. Nuk kam asnjë shqetësim për të ardhmen, tani mendojmë vetëm për Çekinë dhe të shkojmë në këtë sfidë me mentalitetin e duhur. Jam shumë i lumtur me lojtarët, kemi grup shumë cilësor dhe jam shumë i lumtur që kemi këta lojtarë në dispozicion.”

Shqipëria do të zhvillojë dy ndeshje gjatë muajit tetor, me Republikën Çeke në “Air Albania” më 12 tetor, që është e vlefshme për kualifikueset EURO2024 dhe më 17 tetor do përballet në një miqësore me Bullgarinë, po në Tiranë.