Kryeministri kroat: Sulmi në veri s’ka ndodhur rastësisht, duhet reagim më i fortë ndërkombëtar
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka dënuar sulmin nga një grup terrorist serb në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Duke kërkuar reagim të fortë ndërkombëtar, Plenkoviç tha se armatimi i rëndë i grupit kriminal tregon se i njëjti ka qenë i planifikuar dhe që nuk ka ndodhur rastësisht.
Kryeministri kroat në konferencë për medie së bashku me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci tha se incidenti i 24 shtatorit në Kosovë është shumë serioz dhe sinjal i që tregon se ka forca që duan të destabilizojnë Kosovën dhe tërë situatën në Evropën juglindore.
“Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga grupe të armatosura të cilat kanë qenë të armatosur në formë të tillë, duke e bërë të qartë se këtu bëhet fjalë për operacion paraprakisht të planifikuar. Me pajisje të tilla dhe numër të madh njerëz nuk është diçka që ka ndodhur rastësisht. Si i tillë ne konsiderojmë se kjo ngjarje është një incident shumë serioz dhe sinjal i fortë që tregon se ka forca që duan të destabilizojnë Kosovën, raportet Kosovë-Serbi dhe tërë situatën në hapësirën Evropën juglindore”, theksoi ai.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian dhe NATO duhet të kenë reagim të qartë për sulmin në veri të Kosovës dhe të përkrahin institucionet kosovare.
Sipas tij, Serbia mori mesazhe të qarta nga komuniteti ndërkombëtar për dërgimin e ushtrisë në kufirin me Kosovën.
“Gjithashtu reagimi i komunitetit ndërkombëtar, këtu mendoj për BE-në, NATO-në dhe përfaqësuesit ndërkombëtar të tjerë që veprojnë në Kosovë duhet të jenë të qarta dhe të forta. Duhet të përkrahin institucionet e Kosovës para se gjithash pasi bëhet fjalë për territor të Kosovës. Në anën tjetër duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar çfarëdo lloj eskalimi të gjendjes. Kemi dëgjuar mesazhe të qarta nga aktorët global që i kanë dërguar Serbisë që të tërhiqen menjëherë forcat që i kanë dërguar drejt kufirit të Kosovës. Kjo tregon se komuniteti ndërkombëtar është i interesuar për paqe për normalizim të raporteve për të vendosur një situatë që negociatat me ndërmjetësim evropian të vazhdojnë më tutje”, shtoi kryeministri kroat.
Ai përmendi edhe diskutimet joformale që po ndodhin në Bashkimin Evropian për t’i vendosur masa ndëshkuese Serbisë, të ngjashme sikur që janë ndërmarrë ndaj Kosovës.
