Parlamenti me debate, përplasjet brenda opozitës dhe ngritja e komisioneve hetimore pritet të jenë "kryefjala" e seancës të hënën

Përplasjet brenda opozitës dhe ngritja e komisioneve hetimore pritet të bëhen sërish kryefjala e seancës parlamentare e së hënës.

Shkresa më e re e depozituar në kuvend nga Lulzim Basha ku përjashton nga grupi parlamentar i PD-së 11 deputetë, përkatësisht ata që mbështesin Berishën do të vënë kryeparlamentaren para detyrimit për ta lexuar ose jo në nisje të punimeve.

Ndërkaq ky vendim i kryetarit të demokratëve, vjen pikërisht kur një pjesë e madhe e deputetëve opozitarë nuk qëndrojnë në një linjë me të.

Kërkesat e opozitës për dy komisionet hetimore në dy çështje, atë të vjedhjeve të të dhënave në sistemin TIMS dhe koncensionet e shëndetësisë do të sjellin përballjen me mazhorancën.

Të premten, në konferencën e kryetarëve mazhoranca nuk u dakordësua me kërkesën e 45 deputetëve, me argumentin se për dy çështjet po heton dhe prokuroria.

Kjo u cilësua antikushtetuese nga ana e kreut të grupit parlamentar të partisë demokratike Gazment Bardhit. Ai u shpreh se në kushtetutë çdo kërkesë për hetim me firmën e të paktën 35 deputetëve duhet të miratohet menjëherë.

Grupi Parlamentar i PD, përveç komisionit hetimor për ndërhyrjet në sistemin TIMS dhe Shëndetësi, ka paralajmëruar se do të kërkojë dhe një komision hetimor të tretë që lidhet me vendimet për tendera që janë marë nga zyrtarë të lartë edhe pse kanë qenë në konflikt interesi.