“Kosova, shteti i xhudos”, së shpejti me një qendër multifunksionale dedikuar këtij sporti
Një qendër e re sportive multifunksionale do të ngrihet në qytetin e Pejës, në Kosovë. Në një komunikatë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit thuhet se ky projekt, dedikuar sportit të xhudos, është dëshmia e radhës e përkushtimit të qeverisë kosovare për sportin dhe e zbatimit të suksesshëm të programit shtetëror “Kosova shtet i xhudos”.
Projekti i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, tashmë ka hyrë në një fazë të re, atë të fillimit të ndërtimit të qendrës së parë, pas miratimin të vendimit për shpronësim.
Qendra e re multifunksionale do të ofrojë mjedisin e duhur me standarde evropiane për trajnimet e xhudistëve dhe për organizim të garave ndërkombëtare siç janë ato të Lojërave Mesdhetare. Do të jetë një destinacion i veçantë që zhvillon turizmin sportiv ndërsa për ekonominë vendase, do të sjellë ndikim pozitiv duke krijuar mundësi të reja të punësimit e investimeve.
Qendra e re, ndër të tjera, përfshin palestrën sportive, sallën, dhomat e zhveshjes, tribunën për shikues (mbi 700 ulëse), hapësirën për media, 52 dhoma për akomodim dhe bujtinat shtesë, objektin multifunksional me pishina dhe fitness, tualetet e të tjera.

