Duhet të paguajnë 5000 euro për të mos shkuar në qendër burgimi: Propozimi i Melonit për emigrantët "ndez" polemika

Azilkërkuesit nga vendet e konsideruara të sigurta, që mbërrijnë në Itali dhe kapen duke u përpjekur të kalojnë kontrollet, tani duhet të paguajnë një shumë prej 5 mijë eurosh për të shmangur vendosjen në një qendër burgimi ndërkohë që aplikimi i tyre ekzaminohet.

Masa u publikua të premten në gazetën zyrtare të qeverisë nga Ministria e Brendshme dhe gjasat janë që të shkaktojë polemika.

2023-shi ka qenë një vit rekord sa i takon mbërritjes së emigrantëve në Itali. Vlerësohet se rreth 133 mijë azilkërkues kanë mbërritur në vend deri tani, thuajse dyfishi i numrave të regjistruar vitin e kaluar dhe trefishi krahasuar me 2021-shin.

Ndërkohë, pas valës së javës së kaluar, mbërritjet në Lampeduza janë ngadalësuar me ardhjen e motit të keq. Në pak ditë, ishulli italian pa mbërritjen e mbi 6 mijë personave, shumica e të cilëve tani janë shpërndarë në rajone të tjera të Italisë.

E njohur gjithashtu si “pika e nxehtë”, qendra e strehimit të emigrantëve në Lampeduza u tejmbush pak ditë më parë, ndërsa tani ka vetëm 1000 persona.