Vrasja e efektivit të Policisë së Kosovës, ministrat Balla dhe Hasani marrin pjesë në homazhe

Ministri i Brendshëm Taulant Balla është nisur drejt Prishtinës, ku do të marrë pjesë në homazhet për nder të Rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra nga terroristë serbë gjatë sulmit në veri të Kosovës.

Sot Kosova ka shpallur ditë zie, teksa do të përcillet në banesën e fundit dhe efektivi i rënë në krye të detyrës.

Taulant Balla ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij, Xhelal Sveçla ditën e djeshme ku i ka shprehur ngushëllimet për zyrtarin e policisë që ka humbur jetën dhe ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.

Edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani është nisur për në Prishtinë, ku do të marrë pjesë në homazhet për nder të Rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra nga terroristë serbë gjatë sulmit në veri të Kosovës.

Ministri Hasani dënoi me ashpërsi dje sulmin me armë ndaj Policisë dhe shtetit të Kosovës, teksa i shprehur ngushëllimet familjes së oficerit të Policisë.

“Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët”, deklaroi ministri i Jashtëm.