Veliu: Veprimet e pa koordinuara me BE-në kanë sjellë këtë situatë, Kosova ka 2 vite pa diplomaci

Analisti, Lulzim Veliu përmes një lidhje "Skype" foli për Ora News për situatën Kosovë-Serbi dhe debatin për asociacionin. Veliu theksoi se veprimet e pa koordinuara me BE sollën këtë situatë dhe se Kosova ka 2 vite që nuk ka fare diplomaci.

"Veprimet jo të koordinuara me BE kanë sjellë këtë situatë. Deklaratat e Kurtit janë shumë pak të fuqishme për të ndryshuar mendjen e Bashkimit Europian. Ne jemi një vend i vogël, pa mundësi për ta detyruar BE të ndërrojë pozicionin.

Me këto veprime Kurti i ka mbyllur të gjitha dyert vendit tonë. Bëri deklarata të dëmshme ndaj sekretarit amerikan, pastaj edhe ndaj Borrelit. Ishin veprime që sjellin vetëm tensione. Ka 2 vite që Kosova nuk ka fare diplomaci", tha ndër të tjera Veliu.