Përplasja me BE-në e SHBA-në, Politilogu: Kurti i ka prishur të gjitha raportet, Kosova duhet të shkojë në zgjedhje
Dy zyrtarët e lartë të Brukselit të angazhuar në dialogun Serbi – Kosovë, Miroslav Lajçak dhe Josep Borell i kanë propozuar Parlamentit Evropian të vendosë sanksione për Kosovën, duke e designuar kësisoj si provokuese dhe përgjegjëse për situatën në Mitrovicë dhe rrethina.
Por kjo ka nxitur një reagim të ashpër të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili theksoi se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel, kishte koordinim dhe sinkronizim të qëndrimeve mes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Pikërisht ky qëndrim i kryeministrit Kurti ka shkatuar qëndrime të forta të përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së, të cilat kanë konfirmuar vijimin e sanksioneve ndaj Kosovës.
Në analizën e tij në studion e lajmeve në “Ora News”, politologu Fidan Ukaj deklaroi se kemi të bëjmë me një veprim të nxituar të kryeministrit Kurti.
“Unë mendoj se deklaratat e z. Kurti janë të nxitura Është shqetësuese prishja e marrëdhënieve dhe raportove me aleatët tanë strategjikë. Dhe mendoj se zgjidhja është nisja e zbatimit të kërkesave të vendosura nga ata.
Por fatkeqësisht z. Kurti i ka prishur të gjitha raportet dhe këtë e pamë edhe nga rëndësia që iu dha z. Lajçak edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nisur nga kjo situatë duhet që Kosova ta testojë sërish atë me zgjedhje, pasi kemi të bëjmë me një gjendje shqetësuese dhe të patolerueshme sa i përket prishjes së këtyre raportove”, u shpreh ndër të tjera, politologu Fidan Ukaj.



