Birra për kokainë dhe pica për kanabisin, shkatërrohet grupi i shpërndarësit të drogës te Kodra e Diellit

8 persona janë arrestuar dhe një është shpallur në kërkim, me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Policia deklaron se ata kishin si terren zonën e kodrës së diellit dhe u mbajtën në përgjim gjashtë muaj. Si kod për të porositur dozën e kokainës ishte birra dhe pica shërbente për kanabisin

Më sill një pica. Përmes kësaj telefonate të rinjtë që frekuentonin lokalet në zonën kodra e diellit në tiranë, apo edhe ata që banojnë në këtë lagje, porositnin doza të kanabisit.

Një tjetër kod ishte kërkesa për ti dërguar një birrë apo fanta përmes së cilës shpërndarësve të lëndëve narkotike u kërkohej kokainë. Në bazë të numrit që përdorte klienti aq ishte dhe sasia e dozave që dërgohej menjëherë

Për të zbuluar grupin që mbulonte vetëm këtë zonë të kryeqytetit policia thotë se ka punuar për gjashtë muaj, duke përfshirë edhe përgjime të tyre.

Në finalizim të hetimeve janë arrestuar 8 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Mes të ndaluarve mësohet se është edhe Herald Rexhepaj me precedentë në narkotrafiqet por edhe bashkëshortja e tij V.Bendaj.

Në grup ishin kryesish të rinj ku dy prej tyre vetëm 19 vjeç dhe tre janë në moshën 21 dhe 22 vjeçar. Ndërsa vetëm një i akuzuar është 46-vjeçar dhe i shpalluri në kërkim 29 vjeç

Sipas policisë ata siguronin sasi të mëdha lënde narkotike dhe më pas e shpërndanin në doza të vogla. Në momentin e ndërhyrjes, përmes operacionit kodra e diellit 3 u sekuestruan

650 doza dhe një kilogram kanabis sativa, 150 doza  kokainë,  por edhe qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin si dhe dy peshore elektronike

Të ndaluar

H. Rexhepaj

V. Bendaj

A. Harizi

A. Aga

Xh. Arifllari

D. Shehu

I. Gjoshi

D. Saliaj

Në kuadër të operacionit "Kodra e Diellit 3" u ndaluan Herald Rexhepaj, Viola Bendaj, Arolf Harizi, Arlind Aga, Xhersildo Arifllari, Dashamir Shehu, Devis Saliaj, Indrit Gjoshi. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. R., 29 vjeç, banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe kanabis, në sasi të mëdha, dhe më pas i shitnin ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në afërsi të lokaleve të natës dhe të vendeve që frekuentohen nga të rinjtë. 

Në cilësinë e provës materiale, gjatë zhvillimit të gjithë operacionit janë sekuestruar 650 doza cannabis sativa, 150 doza lënde narkotike kokainë, 1 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, dy peshore elektronike, dhe 5 aparate celulare.  Vijon puna për kapjen e shtetasit K. R.

 Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.