Zgjedhjet në veri të Kosovës, serbët me kushte
Zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore, mbetet një temë e pazgjidhur në Kosovë, pasi teksa ndërkombëtarët këmbuëngulin në realizimin e tyre, risku që ato të bojkotohen serish është i madh.
Serbët që jetojnë në këto komuna kanë disa kushte që të marrin pjesë në zgjedhje.
"Duhet që zgjedhjet të mbahen dhe të jenë legjitime. Por ka kushte që duhen plotësuar… Të tërhiqen të gjitha forcat policore, të lirohen hapësirat komunale dhe arsimore…Kusht është po ashtu formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili është nënshkruar para njëmbëdhjetë vitesh".
Në anën tjetër, Emir Azemi, njohës i zhvillimeve politike nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur se për situatën në veri të Kosovës, duhet patjetër një marrëveshje politike mes palëve në proces, si dhe garanci e fortë nga ana e SHBA-së, për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
"Duhet një marrëveshje politike mes palëve në proces, një granci e fortë e SHBA-së se ky proces zgjedhor nuk duhet të dështojë, nuk do të ketë ndërhyrje siç ka pasur në të kaluarën, dhe të ketë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, ku do të marrin pjesë Lista qytetare, subjekte politike, dhe të dalin struktura nga vullneti qytetarë dhe assesi nga presioni, as nga detyrimi që mund të vije nga jashtë ose nga brenda, dhe në një formë të përmbyllet ky proces i riintegrimit të komunave të Kosovës me shumicë serbe".
Marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira që nga 26 maji e tutje, ndërsa në këto zgjedhje do të duhej të sigurohej pjesëmarrja e serbëve si votues, por edhe si kandidatë.
