"Ide mbi sfidat aktuale dhe të ardhshme"/ Ekonomi në Forumin e "Bled"-it, takim me kreun e ITU: Krijim i një qendre inovacioni në Shqipëri

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të forumit strategjik të Bled, konferencë lider në Europën Qendrore dhe Jug-Lindore që bën bashkë çdo vit liderë nga e gjithë bota për të shkëmbyer këndvështrime dhe për të gjeneruar ide mbi sfidat aktuale dhe të ardhshme.

Në sesionin “Transformimi digjital në rajonin e Ballkanit Perëndimor” të takimit ministerial, Ekonomi ndau përvojën e Shqipërisë mbi revolucionin digjital që ka kaluar, sfidat me të cilat u përball vendi dhe projeksionet për axhendën digjitale të “Shqipëria 2030”.

“Në diskutimet me homologë nga Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Serbia e Bosnje Hercegovina shkëmbyem praktikat më të mira mbi përfshirjen e digjitalizimit në politika dhe rregullore, investimet në infrastrukturë digjitale për të siguruar akses dhe besueshmëri për qytetarët, rritjen e aftësimit digjital midis qytetarëve, krijimin e mekanizmave të fortë të mbrojtjes së të dhënave, monitorimin e efektivitetit dhe zbatimi i mjeteve për reagimet e qytetarëve, nxitjen e kulturës së inovacionit dhe bashkëkrijimit duke mbështetur nisma teknologjike”, u shpreh Ekonomi.

Takimi me kreun e ITU

"Ide mbi sfidat aktuale dhe të ardhshme"/ Ekonomi në Forumin

Po dje ministrja Ekonomi zhvilloi në Forumin Strategjik të "Bled"-it një takim bilateral me kreun e ITU – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, Cosmas Zavazava.

Ekonomi u shpreh se në këtë takim u diskutua mbi krijimin e një “Innovation Alliance Center” në Shqipëri për të maksimizuar sinergjitë e bashkëpunimit.

Gjithashtu pjesë e diskutimit ishte edhe përditësimi i Profilit të Inovacionit Digjital (DIP) dhe mbështetja në aftësimin digjital për të moshuarit.

Ekonomi dhe Zavazava folën edhe për zhvillimin e infrastrukturës digjitale elastike në situata kritike, duke eksploruar mundësinë e krijimit të rrjetit të ekspertëve për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira.

Gjithashtu u diskutua edhe për zgjerimin e përdorimit të informacioneve të Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Hapësinore dhe përmirësimin e ATLAS.

Zavazava u angazhua që Forumi i Zhvillimit Rajonal të ITU për Evropën, në vitin 2024 të zhvillohet në pranverë në Tiranë.