Raporti i AMF-së: Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit 13.1 miliardë lekë

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-korrik 2023 kapën vlerën 13.1 miliardë lekë, ose 11.22 % më shumë se në periudhën janar-korrik 2022.

Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 794 312 me një rritje prej 12.58% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat tregojnë se tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 92.02 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve. Ndërsa sigurimet e jetës kanë 7.90 % dhe risigurimi 0.08 %.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.92% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 57.08% të totalit të tregut.

Gjatë muajit janar-korrik 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,919 milionë lekë, ose 5.43% më shumë se në muajin janar-korrik 2022.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-korrik 2023 kapën vlerën 2,829 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 12.25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.