Rama: Të dhëna tejet optimiste për potencialin e rezervës së naftës në Shpirag

Kompania SHELL po vijon punën eksploruese në zonën naftëmbajtëse të Shpiragut me synimin që në fund të këtij viti të ketë edhe rezultatet e testit përfundimtar teknik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puset e kërkimit në Shpirag, ku kompania SHELL po vazhdon punën për testimet e fundit.

Rama theksoi se “të dhënat deri tani janë tejet optimiste për potencialin e rezervës së identifikuar në nëntokën shqiptare”.

Pas një pune thuajse dhjetëvjeçare dhe arritjes në 6002 metra në thellësi të tokës, në Shpirag është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë.

Ndërkohë po përgatitet testi vendimtar i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e saj lart, që në rast suksesi konsiderohet si kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit.

Paralelisht qeveria është duke punuar për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare, duke u nisur nga studimi i vëmendshëm i praktikave botërore të fushës, si fondet sovrane të Norvegjisë, Arabisë Saudite, Azerbajxhanit etj.