Shërbimet sekrete: Trupat e operacionit special zbarkuan në Krime
Ukraina njoftoi sot se trupat e saj zbarkuan në Krime, gadishullin e Detit të Zi që u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, dhe të cilin Kievi thotë se është i angazhuar për ta rimarrë.
“Shërbimet sekrete ushtarake të Ukrainës (HUR) kryen zbarkimin si pjesë e një operacioni special dhe të gjitha detyrat u përmbushën”, tha Andrey Yusov, një zëdhënës i agjencisë.
Mediet ruse raportuan se sulmi ndodhi në Kepin Tarkhankut, në perëndim të Krimesë dhe se forcat ukrainase ishin zmbrapsur.
Sipas gazetave ruse “Mash dhe Shot”, të cilat japin raportet e tyre në Telegram, ukrainasit zbarkuan me varka pranë një kampingu.
“Pushuesit u trembën nga të shtënat me armë dhe shpërthimet”, raportuan ata.
Sipas “Shot”, ekuipazhet e katër varkave, rreth 15 deri në 20 burra u vranë më vonë.
Jusov mohoi humbjet e Ukrainës gjatë aksionit komando dhe tha se ishin forcat ruse ato që ishin dobësuar, megjithëse nuk dha një numër të saktë të viktimave.
Pretendimet e fushëbetejës nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kujtoi sot Ditën e 32-të të Pavarësisë së vendit duke bërë thirrje për unitet përballë pushtimit rus, i cili filloi saktësisht 18 muaj më parë.
Në një videomesazh, Zelensky falënderoi ushtarët, punëtorët e armatimit, elektricistët, gazetarët, çminuesit, mësuesit, mjekët dhe atletët për përpjekjet e tyre dhe kujtoi sakrificat e bëra.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe ministrja e Jashtme Annalena Baerbock gjithashtu bënë homazhe për luftën e Ukrainës kundër asaj që Scholz e quajti agresioni brutal i Rusisë në një postim në X, dikur i quajtur Twitter.
