Kapet drogë "shqiptare" në Australi , arrestohet 47-vjeçari shqiptar, kreu i organizatës që trafikoi 5 mln euro kanabis

Më shumë se një ton kanabis që dyshohet se është i lidhur me një organizatë shqiptare të krimit të organizuar është sekuestruar në veriperëndim të  Melburnit. 

Mediat raportojnë se një burrë dhe një grua janë arrestuar pasi oficerët kontrolluarn pesë shtëpi në Deer Park, Rockbank, Greenvale, Taylors Hill dhe Taylors Lake të martën.

Një shqiptar 47-vjeçar që policia pretendon se ishte drejtuesi i organizatës u arrestua. Po ashtu në pranga u vu edhe një grua 44-vjeçare kolumbiane. 

Më shumë se 260 bimë kanabisi u sekuestruan nga shtëpia e Taylors Lake, 185 nga Deer Park, 200 nga Rockbank dhe 100 nga Greenvale.

Në pamjet e një prej bastisjeve, oficerët e policsë shihen duke transportuar thasë të mëdhenj me kanabis në një kamion.

Droga në total kapte vlerën e 5 milionë dollarëve, ndërsa policia sekuestroi edhe një sasi prej 200 mijë dollarë. 

47-vjeçari u ndalua për t’u paraqitur në Gjykatën e Magjistraturës së Melburnit më 8 janar. Ai u akuzua për kultivim dhe trafikim të sasive të mëdha të kanabisit dhe posedim të produkteve të veprës penale.

Ndërsa 44-vjeçarja u lirua me kusht për t’u paraqitur në gjykatë në të njëjtën ditë. Ajo u akuzua gjithashtu për kultivimin dhe trafikimin e një sasie kanabisi.