BE njofton ndihmat për Kongon lindore

Bashkimi Evropian njoftoi nisjen e një transportuesi të ri ajror humanitar për të dërguar furnizime thelbësore në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, ku konflikti po i largon banorët nga banesat e tyre.

Dy avionë me mbi 180 tonë ndihma, përfshirë ushqime dhe furnizime mjekësore, kanë mbërritur tashmë në qytetin e Gomës.

Gjithsej janë planifikuar të kryhen tetë fluturime, deri në fund të gushtit.

“BE-ja po i përgjigjet thirrjes së Kombeve të Bashkuara për të rritur furnizimet me ndihma”, tha në një deklaratë komisioneri i BE-së për Krizat Janez Lenarčič.

Sipas Komisionit Evropian, më shumë se 6,2 milionë banorë janë zhvendosur brenda Kongos, duke regjistruar numrin më të lartë në Afrikë.

Sipas komisionit, afër Gomas, kryeqyteti i provincës Kivu Veriore, rreth 500 000 banorë kanë mbetur të pastrehë.

“Pothuajse të gjithë jetojnë në kushte çnjerëzore”, tha krahu ekzekutiv i BE-së.

Pjesa lindore e Kongos konsiderohet si një nga rajonet më të rrezikshme në botë.

Që nga marsi 2022, situata e sigurisë u përkeqësua më tej pasi 1.1 milionë banorë u zhvendosën rishtazi.

Konfliktet e armatosura po shkaktojnë paqëndrueshmëri serioze, pasi grupe të ndryshme po kryejnë shkelje të të drejtave të njeriut duke përfshirë vrasjet, rrëmbimet, torturat dhe përdhunimet.

Rreth 130 grupe thuhet se janë aktive në të gjithë vendin, duke përfshirë rebelët që janë bashkuar me degën e Afrikës Qendrore të milicisë terroriste islamike Shteti Islamik.