Ministri danez: Kievi mund të përdorë avionët F-16 vetëm në territorin e tij

Ukraina do të lejohet të fluturojë me avionët luftarakë F-16, të destinuara për t’u dorëzuar në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda, vetëm në territorin e saj, tha sot ministri danez i Mbrojtjes, Jakob Ellemann-Jensen.

“Ne dhurojmë armë me kusht që ato të përdoren për të përzënë armikun nga territori i Ukrainës. Dhe jo më tej”, theksoi Ellemann-Jensen.

“Këto janë kushtet, qofshin tanke, avionë luftarakë apo diçka tjetër”, tha ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kreu një vizitë të shpejtë në Suedi, Holandë dhe Danimarkë, këtë fundjavë.

Më 20 gusht, Holanda dhe Danimarka njoftuan vendimin e tyre për të dërguar një numër avionësh luftarakë F-16 në Ukrainë.

Pilotët ukrainas dhe specialistët e mirëmbajtjes tashmë janë trajnuar.

Danimarka ka planifikuar të dorëzojë F-16-ët e parë në Ukrainë këtë vit, nga 19 avionë në total.

Holanda ka në dispozicion 42 avionë luftarakë F-16, por nuk ka vendosur ende nëse do t’i dorëzohen të gjithë Ukrainës.