Radhë të gjata mjetesh në aksin Morinë-Kukës, fluksi i lëvizjes i lartë dhe në fund të gushtit

Dhjetë ditët e fundit të muajit gusht e sidomos fundjavat po shqërohen më një fluks të lartë të lëvizjes së mjeteve nga Kosova e vendeve të tjera të rajonit, duke sjellë edhe radhë të gjata automjetesh në aksin Morinë-Kukës.

Kjo për shkak të punimeve në urën e re mbi lumin Drin ndërsa ngushtimi i rrugës në afërsi të Urës së Drinit të Zi, krijon pengesat për qarkullimin e lirë të mjeteve pa mundur të përballojë fluksin e lartë.

Edhe në orët e para të ditës së sotme pati radhë të gjata ndërkohë që policia rrugore për shkak të fluksit të madh ishte në terren për lehtësimin e trafikut dhe mbingarkesës.

Veç hyrjes në Morinë, segmenti Morinë-Kukës,është pika e dytë nevralgjike e trafikut gjatë orëve të para të ditës por edhe gjatë mbrëmjes në kthimin drejt Kosovës.

Pavarësisht këtyre problematikave që lidhen me trafikun e rënduar duket se qytetarët e Kosovës, por jo vetëm nuk kanë hezituar për të kaluar fundjavat apo pushimet verore në Shqipëri e duke u cilësuar si sezoni më i suksesshëm për sa i përket shifrave të pushuesve e turistëve vendas e të huaj në vendin tonë.