Putin takohet me komandantët e lartë në Rostov-on-Don
Presidenti rus, Vladimir Putin është takuar me oficerë të lartë ushtarakë në Rostov-on-Don, në Rusinë jugore, për herë të parë që kur qyteti u bë qendra e tentativës për kryengritje nga forcat mercenare “Wagner”.
“Putin takoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov dhe komandantë të tjerë të lartë ushtarakë, në selinë ushtarake të Qarkut Ushtarak Jugor”, njoftoi sot Kremlini.
Putin thuhet se u informua edhe nga komandantë dhe oficerë të tjerë të lartë.
Ishte e paqartë se kur u zhvillua saktësisht vizita. Nuk pati një arsye zyrtare për vizitën e tij.
Rostov-on-Don fitoi famë ndërkombëtare pasi udhëheqësi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin e pushtoi atë për disa orë, në fund të qershorit në kryengritjen e tij jetëshkurtër kundër Moskës.
I frustruar me atë që ai e shihte si udhëheqje joefektive të Ministrisë së Mbrojtjes, Prigozhin marshoi luftëtarët e tij nga Rostovi drejt Moskës.
Megjithatë, më pas, negociatat e udhëhequra nga udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko e bindën 62-vjeçarin të tërhiqej, më pak se 200 kilometra nga Moska. Në këmbim, atij dhe luftëtarëve të tij iu premtua imunitet nga ndjekja penale.
