Rreth 500 000 të vrarë ose të plagosur në luftën në Ukrainë
Gati gjysmë milioni ushtarë nga të dyja palët mund të jenë vrarë ose plagosur në luftën në Ukrainë, sipas një raporti të botuar në “The New York Times”, i cili citon zyrtarë të qeverisë amerikane.
Në të njëjtën kohë, ata paralajmëruan se viktimat ishin të vështira për t’u vlerësuar pasi Kievi nuk i publikon shifrat dhe Moska dyshohet se raporton më pak vdekje dhe plagosje.
Sipas raportit, zyrtarët amerikanë të paidentifikuar vlerësojnë se ka pasur 120 000 ushtarë të vrarë dhe 170 000 deri në 180 000 të plagosur nga pala ruse.
Për Ukrainën, vlerësohen rreth 70 000 ushtarë të vdekur dhe 100 000 deri në 120 000 të plagosur që nga fillimi i pushtimit rus, rreth 18 muaj më parë.
Këto shifra nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Në nëntor, Shefi i Shtabit të Përbashkët të SHBA, Mark Milley, tha se numri i ushtarëve të vrarë ose të plagosur nga të dyja palët kishte arritur në më shumë se 100 000, secila.
Sipas “The New York Times”, shifrat u rritën ndjeshëm në dimër dhe pranverë.
Në veçanti u përmendën disa muaj luftimesh të ashpra në qytetin e kontestuar lindor të Bakhmutit.
Përveç kësaj, në raport thuhet se mijëra trupa ukrainase janë vrarë ose plagosur gjatë kundërofensivës aktuale.
Lufta ruse kundër Ukrainës filloi më 24 shkurt 2022 dhe nuk shihet një fund i qartë deri më tani.
Komuniteti ndërkombëtar ka dënuar pushtimin rus dhe presidenti Vladimir Putin akuzohet për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, në Hagë.
