Berisha: Koncesionet në shëndetësi, vjedhje që shkon deri në 1 miliard euro. Me "Sterilizimin" u morën 76 mln euro

Sali Berisha doli sot në deklaratë për mediat. Ish-kryeministri foli për aferën e inceneratorëve dhe atë të koncensionit të sterilizimit që e cilësoi si aferën e dytë të shekullit.

"Koncesionet në shëndetësi janë në të gjitha aspektet vjedhja e dytë më e madhe e shekullit. Fatura e tyre minimale, e përcaktuar si faturë dysheme në kontrata, për 10 vite, shkon në 450 milionë euro.

Por, sipas zbatimit dhe vjedhjeve që bëhen gjatë zbatimit të këtyre praktikave, kjo faturë ka të gjitha potencialet të shkojë në 900 milionë deri në 1 miliard euro mbi shpatullat e shqiptarëve.

Sot, natyrisht çështje dite është sterilizimi dhe koncesioni i sterilizimit që ishte parashikuar t’u kushtonte në 10 vite me kursin e atëhershëm 100 milionë, me të sotmin 80 milionë, në 5 vitet e para për shkak të vjedhjeve ka kushtuar 76 milionë euro.

Autorë kryesorë absolut dhe mbështetësi kryesor i vjedhjes së dytë të shekullit, përkatësisht Ilir Beqaj dhe Edi Rama, janë të paprekshëm dhe mbi ligjin.

Duke vlerësuar çdo akt të zbatimit të ligjit, duke e konsideruar legjitime të gjitha urdhër-arrestet e lëshuara nga gjykata me kërkesë të prokurorisë për aferën, unë uroj që qytetarët shqiptarë të mos pengojnë degëzat që të shohin trungjet. Se kjo do të ishte një katastrofë.

E vërteta është se trungjet e kësaj afere të madhe janë Ilir Beqaj dhe Edi Rama", tha ndër të tjera Berisha. 

Berisha theksoi se autorë kryesorë të vjedhjes së dytë të shekullit janë Ilir Beqja dhe Edi Rama.

"Ilir Beqaj ka firmosur hapjen e procedurës së koncesionit 10-vjeçar të sterilizimit dhe ka firmosur renditjen dhe pikëzimin në garën false të koncesionit të emigrantit me një kompani që kishte të punësuar veten dhe një tjetër.

Ilir Beqaj ka firmosur kontratën, në të cilën në shkelje flagrante të ligjit, janë lënë të hapur jo vetëm dritaret, por edhe dyert për të vjedhur dhe vjedhur sa më shumë.

Ilir Beqaj, i ka dhuruar mikut të tij, ose ka vendosur në emër të tij sipërmarrjen Beqaj-Rrapaj, duke përvetësuar si hajdut, aparaturën më moderne të sterilizimit dhe të gjithë logjistikën e saj. Qeveria me paratë e buxhetit bleu 1.7 milionë euro një aparaturë ultramoderne të sterilizimit. Ajo nuk u vu në përdorim dhe u pa se duheshin dërguar teknikë dhe inxhinierë për specializim.

Ilir Beqaj i dhuroi ndërmarrjes së tij aparaturën, lokacionin dhe qindra-mijëra sete kirurgjikale, të lara në flori, e bën pronar të tyre dhe tani u thotë shqiptarëve më paguani mua pesëfishin e kostos për një operacion. Për një set veglash që nevojiteshin për një operacion, çmimet shkonin në stratosferë.

Nëse ti në këtë operacion të thjeshtë, të nevojiteshin tre vegla, do paguaje aty 30 sepse të tillë të sillnin setin.
Setet dhe raporti set-ndërhyrje siç konstaton KLSH, që ka bërë një kontroll shumë serioz në vitin 2022, aty gjen se qëndronin mekanizmat e vjedhjes masive. Kishin përcaktuar klasifikime, dhe tani në përputhje me klasifikimin, bënin abuzimin më të madh.

KLSH, i gjetur përpara kësaj situate kriminale, i kërkon ministrit që ka firmosur kontratën, të rinegociojë kontratën sepse prandaj u dyfishuan pagesat e spitaleve ndaj koncesionarit.

Por ka edhe një anë dramatike në këtë vjedhje. Ilir Beqaj me Ilirin e tij, udhëtuan mbi dhimbje dhe kufoma, se qindra e mijëra të sëmurë nuk u operuan dot, sepse spitalet nuk kishin fonde për të paguar setet kirurgjikale.

Pra, këtu janë arrestuar disa, të gjithë e meritojnë, nuk ka asnjë diskutim, por kryesor në këtë vjedhje të dytë të shekullit është Ilir Beqaj me firmat e tij, është Edi Rama me mbrojtjen e tij.

Nuk kam parë firmë të Edi Ramës, por ka një problem. Lexova aktakuzën, prokurori thotë me të drejtë se ky Rrjepaj ka bërë mashtrim me pasoja të rënda. Po Edi Rama, kryeministër sharlatan, që për t’i dalë zot sipërmarrjes Beqaj-Rrapaj, kalonte nga studio në studio si sharlatan dhe thoshte se janë operuar njerëz me pinca dhe gërshëre më një krah. Ai që ka dy pare mend, nuk mund të dalë kurrë me një pozë të tillë.", tha ndër të tjera Berisha.