INVESTIGIMI/ Kadastra e Shqipërisë në kaos, zvarritje dhe asnjë shërbim për qytetarët: Jemi në udhëkryq!

Projekti online i dixhitalizimit të shërbimeve, u tha se do na shpëtonte nga vonesat, sekserët, mashtrimet, falsifikimet e zyrtarët e ryshfetit, por avazi vazhdon i monopolizuar në një dorë qendrore… Kadastra e Shqipërisë jashtë çdo shërbimi për qytetarët.

Lidhur me publikimin e lajmeve të publikuara së fundmi nga “Ora News” ka patur reagime të shumta nga qytetarët, dhe si rrjedhojë redaksia kreu një investigim pranë intitucionit të Kadastrës Shqiptare.

Mjafton të ulesh në një nga baret e godinës së Kadastrës, e cila ndodhet në “Tirana Bussines Park”, pranë Rinasit dhe do kuptosh vështirësitë që po hasin punonjësit e Kadastrës me sistemin e ri të trumbetuar aq shumë nga qeveria.

Kjo kuptohet nga diskutimet që bëjnë ndërmjet njëri-tjetrin punonjësit e Kadastrës.

E njëjta situatë është dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës, por ndryshe nga e para, këtu janë dhe qytetarët të cilët vijnë për zgjidhje.

Por pse gjithë kjo vonesë për aplikimet që qytetarët kanë paguar shërbimet?

Fillimisht pas interesimit, rezultoi që nuk ka urdhër me shkrim për ndarjen qartë të detyrave të secilit punonjes për trajtimin e një aplikimi, përveç operatorit, i cili shpërndan e ngarkon dokumentacionin pranë drejtorisë përkatëse.

Pasi aplikon qytetari, i cili shumë herë paguan shërbime të panevojshme, aplikimi mbetet në sistem, e cila kontrollohet nga Kulla pranë Drejtorisë së Përgjithshme.

Kulla e shpërndan në drejtorinë vendore përkatëse (ku dhe mban aplikime të pashpërndarë).

Pas kullës, aplikimi shkon në operatorin e Drejtorisë Vendore ku ngarkon dokumentacionin, ku shumë herë është i mangët.

Pas kësaj i kalon juristit e hartografit në një nga Drejtoritë Vendore në tërë Shqipërinë.

Këtu vazhdon ping-pongu me qyetarin, kjo pasi dokumentacioni është i paplotë, pasi punonjësit nuk kanë informacionin e duhur për të vijuar me dhënien e shërbimeve.

Rolet e gjithsecilit janë të paqarta dhe nuk kanë as trajtimin e duhur, apo udhëzimet përkatëse për të vijuar më tej.

Ashtu siç tha dhe kryeministri, shumica e punonjësve po mendojnë dorëheqjen apo transferimet.

Më e keqja e të gjithëve, nëse para implementimit të këtij sistemi, për çdo pasuri kishte një referencë (dosje), tashmë nuk ka një të tillë, pasi janë në mëshirë të sistemit.

Pasojë e cila do binte mbi vetë subjektin aplikues, si dhe vetë organet ligjzbatuese të hetimit.

Çdo gjë monitorohet nga Lart (Drejtoria e Përgjithme).

Punonjësi trajtohet pa dinjitet dhe në kushtet e presionit. Kujtojmë këtu që në çdo drejtori vendore ka zyrë antikorrupsioni i caktuar nga Ministria e Drejtësisë.

Ka zyrë të bashkëqeverisjes vendore, si dhe kontrolle të njëpasnjëshme.

Po nuk duhet harruar se gjithçka po ndodh sot në Kadastrën e Shqipërisë është një kaos i mirëorganizuar nga AKSH-i i drejtuar nga Mirlinda Karcanaj.

Pak ditë më parë eksperti i IT-së, Gent Progni tha se çdo gjë bëhet me urdhër verbal, pa shkresa dhe të pambështetur në ligje dhe urdhëra të Bordit Drejtues të ASHK, që drejtohet nga Mirlinda Karçanaj.

Kjo pasi tenderi i dixhitalizimit të Kadastrës do të miratohet prej saj dhe do duhej të ishte miratuar prej më shumë se 1 muaji.

Ndërsa thotë se drejtuesja e Kadastrës Dallëndyshe Bici është një kukull në krye të atij institucioni, ai tha se tenderi prej 40 milionë eurosh dhe realizimi i tij është i paracaktuar nga drejtuesja e AKSHI-t Mirlinda Karcanaj.

Progni tha se tenderi është i paracaktuar dhe do i jepet kompanisë së Ermal Beqirit, pavarësisht emrit të firmës fituese me letra.

Karcanaj dhe Beqiri, thotë Progni në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, kanë futur me kohë si drejtor IT në Kadastër ushtarin e tyre besnik, Ervin Muça.

DENONCIMI I PROGNIT

Por ky denoncim i publikuar në “Ora News” u duk sikur zgjoi drejtuesen e Kadastrës, Dallëndyshe Bicin, e cila thirri një mbledhje urgjente ditën e djeshme me të gjithë drejtuesit vendorë të Kadastrës, të cilëve u kërkoi të rikthehet urgjentisht shërbimi për qytetarët.

Por pse kjo nuk është bërë realitet një ditë më pas? A janë këto mbledhje thjesht me qëllim propagandistik për të larguar vëmendjen nga problemi kryesor, që është fakti se Kadastra është krejtësisht jashtë çdo shërbimi dhe nuk ofron asgjë për qytetarët e vendit, por edhe ata që jetojnë e punë në emigracion, të cilët kanë shfrytëzuar këto ditë pushimesh për të ardhur në Shqipëri dhe për të blerë me kursimet e tyre shtëpi.

Një rast i tillë denoncohet në “Ora Neës” nga një qytetare që për arsye konfidencialiteti do citojmë vetëm inicialet.

Bëhet fjalë për zonjën V. Sh, e cila së bashku me bashkëshortin e saj brenda 40 ditëve janë bërë 3 aplikime për t’u pajisur me hipotekën e banesës që ata kanë blerë.

“Aplikimin e parë e kemi me 3 korrik, më 17 korrik kemi bërë aplikimin e dytë, ndërsa të tretin para 1 jave, dhe asnjë përgjigje nuk kemi marrë nga institucioni.

Vijmë çdo ditë këtu prej më shumë se 1 muaji dhe askush nuk di të na thotë se lkur mund të zgjidhet problemi ynë.

Është krejtësisht e papranueshme. Jemi në qorrsokak, pasi as nga Shqipëria nuk ikim dot pasi kemi bërë pagesën e shtëpisë, hipotekën e së cilës nuk na e jep Kadastra se ëhstë jashtë funksionit.

Por edhe në Itali ku ne jetojmë, po humbasim punët si unë dhe bashkëshorti”, thotë V. Sh për “Ora News”,

Dhe raste si ky janë me qindra që presin në dyert e Kadastrës për një zgjidhje, që gjithsesi nuk dihet se kur do bëhet.

Më poshtë bashkëngjitur dhe dokumentet me firmë të noterit të aplikimeve të bëra nga qytetarja në Kadastrën Shqiptare: