“Larg duart nga parku”/ Lëvizja Bashkë sërish protestë kundër kullës 64 kate pas TKOB-së
“Lëvizja Bashkë”, e drejtuar nga Arlind Qori organizoi një protestë ditën e sotme kundër ndërtimit të kullës 64 kate prapa Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale “Lëvizja Bashkë”, njoftoi për protestën, ndërsa në orën 18:30 asaj ju bashkuan edhe aktivistë e qytetarë të ndryshëm.
"Sot qytetarë të Tiranës u mblodhën sërish në protestë në mbrojtje të parkut pas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ndërkohë që protestonim, ekskavatorët e firmës së ndërtimit vazhdonin të shkatërronin pjesët e mbetura të parkut.
Mes fjalimeve e thirrjeve spikatën kritikat e forta ndaj uzurpimit të hapësirave publike, ndotjes së mjedisit dhe shkatërrimit urban. Korrupsioni dhe ortakëria kriminale mes pushtetarëve politikë dhe okigarkëve ekonomikë po e bën Tiranën qytet të pajetueshëm. Zëri ynë do të vazhdojë të ngrihet kundër keqbërjes ndaj qytetit dhe degradimit të jetës politike." - shkruan Lëvizja Bashkë për protestën.
