Vrasja e kandidatit për president në Ekuador, i dyshuari transferohet në burgun e sigurisë së lartë

Autoritetet në Ekuador kanë transferuar në burgun e sigurisë së lartë, të dyshuarin për vrasjen e kandidatit për President, Fernando Villavicencio.

Rreth 4 mijë forca ushtarake dhe efektivë policie u përfshinë në operacionin për zhvendosjen e Adolfo Macias, i njohur edhe me pseudonimin e tij, "Fito” që, kryeson bandën e Los Choneros.

Në institutin e dënimit ku është zhvendosur qëndrojnë gjithsej 150 të dënuar të cilët mbahen nën mbikqyrje të rreptë.

Presidenti Guillermo Lasso tha se veprimi kishte për qëllim sigurinë e qytetarëve dhe të burgosurve.

“Ekuadori do të rikthejë paqen dhe sigurinë, nëse lindin reagime të dhunshme, ne do të veprojmë me forcë të plotë”, deklaroi ai

Një javë para vrasjes, kandidati për president e akuzoi publikisht Macias për kërcënime ndaj tij gjatë fushatës elektorale. “Një lajmëtar I liderit të bandës më ka paralajmëruar se nëse vazhdoj, ata do të më thyejnë”, është shprehur 59 vjeçari.

Zyrtarët kanë fajësuar krimin e organizuar për vrasjen e Villavicencios, pasi ky I fundit ishte zë I fortë dhe ligjvënës kundër korrupsionit. 

Ndërsa e veja,Veronica Sarauz akuzon qeverinë si përgjegjëse të drejtëpërdrejtë për vrasjen e burrit të saj.

Ekuadori u trondit nga vrasja Fernando Villavicencios të mërkurën, gjatë një mitingu të fushatës në kryeqytetin Quito.

Ngjarja vjen vetëm 10 ditë përpara se të mbahej raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, ndërsa ndërkombëtarët e kanë dënuar ashpër.