Gjobitet hoteli në bregdet për shkelje në hedhjen e mbetjeve, Kumbaro: Mos cenoni sezonin turistik
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro paralajmëroi ndëshkim edhe për hotelet që ndotin mjedisin duke derdhur mbeturinat në koshat e paracaktuar për qytetarët.
Duke sjellë në rrjetet sociale pamje nga koshat e mbushur plot me mbetjet e një hoteli që i depozitonte ato kohë e pa kohë, Kumbaro theksoi se koshat nuk janë për sasitë e mëdha të mbetjeve që gjenerojnë hotelet, por për qytetarët.
“Policia Bashkiake e Himarës ka reaguar duke gjobitur hotelin në bregdet. Prej ditësh ishte kthyer në gangrenë, duke mos zbatuar oraret e hedhjes së mbetjeve në grafikun e përcaktuar nga bashkia, por i hiqte nga territori i vet në çdo moment të ditës duke i derdhur në rrugë”, u shpreh Kumbaro.
Ajo e cilësoi sjelljen të pafalshme dhe apeloi biznesin të mos e dëmtojë sezonin turistik dhe të mos e cenojë mjedisin.
“Jemi në koordinim me Policitë Bashkiake dhe me Policinë e Shtetit dhe gjobat do të aplikohen ndaj çdo çmendurie të tillë”, theksoi Kumbaro.
