Festa për Napolin e çon pas hekurave anëtarin e Kamrros, 11 vite në kërkim, fshihej në Greqi

Prej 11 vitesh në kërkim, një anëtar i mafies së Kamrros është arrestuar në Greqi. Hetuesit Italian zbuluan vendndodhjen e tij pasi i shumë-kërkuari nuk i kishte rezistuar dëshirës për të festuar titullin kampion të Napolit.

Një nga të arratisurit më të rrezikshëm të Italisë është kapur në Greqi, pasi vendndodhja e tij u zbulua pas një foto që u bë virale, teksa festonte për ekipin e tij të zemrës, Napolin.

Vincenzo La Porta, 60 vjeç, akuzohet për lidhje të ngushta me bandën e krimit të organizuar në Camorra në Napoli. Është dënuar në mungesë në Itali për evazion fiskal dhe mashtrim.

Ai ka qenë në arrati për 11 vjet, por në fillim të këtij viti u fotografua në ballkonin e një restoranti në Korfuz, mes tifozëve që valëvisnin flamujt bardh e blu.

Oficerët thanë se fotot janë bërë pasi Napoli fitoi kampionatin e tij të parë italian në më shumë se tre dekada dhe 60 vjeçari nuk I ka rezistuar dot festës. Ata arritën ta identifikonin pavarësisht kapelës që mbante.

Fotografia u bë virale në internet dhe përfundoi në duart e autoriteteve, që gjurmuan vendndodhjen e italianit dhe si përfundim e arrestuan të premten, teksa po udhëtonte me motoçikletën e tij në ishullin grek të Korfuzit.

“Ai ka krijuar një familje të re në Greqi, ka një djalë 9 vjeç dhe po punon si kuzhinier për t'ia dalë mbanë. Vuan nga sëmundjet e zemrës. Nëse ekstradohet, ai dhe familja e tij do të shkatërrohet” deklaroi avokati I të akuzuarit.

Nëse ekstradohet në Itali, 60 vjeçari do të vuajë dënimin me 14 vjet e katër muaj burg.

Në janar të këtij viti, edhe një bos i mafies italiane, i cili ishte në arrati për dekada të tëra, u arrestua pas një kërkimi në Google Maps.