Çmendet moti në Gjermani, në gusht “zbardhen” rrugët nga 30 centimetra breshër

Kapriçot e motit duket se nuk kanë të ndalur këtë verë.

Pas të nxehtit afrikan dhe flakëve që përfshinë Mesdheun, në Gjermani kemi një ulje të ndjeshme të temperaturave, të cilat janë shoqëruar dhe me stuhi breshëri në disa zona.

Në Reutlingen, një stuhi lokale me breshër dhe shi të dendur bëri që rrugët e qytetit të zbardheshin dhe të formohej një shtresë e bardhë deri në disa centimetra, si të ishte borë.

“Gjethet dhe një shtresë breshëri 30 centimetrash bllokuan boshtet e kullimit dhe uji depërtoi në garazhe nëntokësore, bodrume dhe ndërtesa banimi”, njoftoi pushteti lokal përmes një njoftimi në llogarinë në Twitter.

Niveli i lumit Echaz u rrit dhe përkohësisht doli nga brigjet e tij në rrethin Betzingen, por nuk shkaktoi dëme të mëdha, shtuan ata.

Në rrugë dolën borëpastrueset të cilat nisën punën për pastrimin e qytetit megjithëse jemi në muajin gusht.

Çmendet moti në Gjermani, në gusht “zbardhen”